Shfaqet Prigozhini, pretendon se po e bën Afrikën “edhe më të lirë”
Yevgeny Prigozhini, shef i grupit famëkeq të mercenarëve, “Wagner”, ka thënë se ndodhet në Afrikë “duke e bërë Rusinë edhe më të madhe në të gjitha kontinentet dhe Afrikën edhe më të lirë”.
Në një video që qarkulloi të hënën në faqet ushtarake pro-ruse, Prigozhini shihet duke mbajtur një pushkë në një zonë boshe, i veshur me uniform ushtarake. Prapa tij, në largësi, shihen një automjet dhe dy burra të tjerë në uniformë, raporton televizioni CNN.
Sipas Prigozhinit, temperatura atje është mbi 50 gradë Celsius dhe se grupi i tij është duke kryer operacione të zbulimit dhe kërkimit.
Televizioni CNN nuk ka mundur që ta zbulojë vendin ku është bërë videoja dhe as ta vërtetojë origjinalitetin e saj.
“Drejtësi dhe lumturi për popujt afrikanë. Le ta bëjmë këtë një ankth për ISIS-in, Al-Qaeda-n dhe për banditët e tjerë. Po angazhojmë bogatirë të vërtetë (luftëtarë sllavë antikë) dhe vazhdojmë që t’i përmbushim detyrat që janë caktuar para nesh dhe që kemi premtuar se do të merremi me to”- dëgjohet duke thënë Prigozhini në video.
Luftëtarët e grupit “Wagner” kanë qenë aktivë në disa shtete afrikane, përfshirë Malin, ku janë ftuar nga qeveria ushtarake për të shtypur një kryengritje islamike afër kufijve të këtij shteti me Burkina Fason dhe Nigerin.
Sipas disa hulumtimeve të televizionit CNN dhe të grupeve të të drejtave të njeriut, ky grup ka qenë i përfshirë në mizori kundër popullsive civile në Mali dhe në Republikën e Afrikës Qendrore.
Në Sudan, grupi “Wagner” e ka furnizuar forcën paramilitare që po lufton kundër ushtrisë së Sudanit dhe ka spekulime se Prigozhini mund të shohë mundësi në Niger, pasi një puç ushtarak që ndodhi rishtazi atje paraqet rrezik për të nxitur një krizë të madhe rajonale.
