Shembet ura që ishte në ndërtim në Indi, të paktën 17 të vdekur
Të paktën 17 persona raportohet të kenë vdekur pas shembjes së një ure nën ndërtim në pjesën verilindore të Indisë të mërkurën. Ky është dështimi më i ri në një varg dështimesh infrastrukturore që kanë rezultuar në disa viktima në shtetin aziatik.
Kryeministri rajonal në shtetin Mizoram, Zoramthanga, tha se të paktën 17 persona kanë vdekur dhe disa të tjerë janë lënduar nga shembja e urës në qytezën Sairang, raporton televizioni CNN.
Në fotografitë dhe videot e publikuara nga zyrtari shtetëror në rrjetin X shihet struktura të shembura në tokë dhe pluhuri në ajër.
Under construction railway over bridge at Sairang, near Aizawl collapsed today; atleast 17 workers died: Rescue under progress.
— Zoramthanga (@ZoramthangaCM) August 23, 2023
Deeply saddened and affected by this tragedy. I extend my deepest condolences to all the bereaved families and wishing a speedy recovery to the… pic.twitter.com/IbmjtHSPT7
“Thellësisht i pikëlluar dhe i prekur nga kjo tragjedi. Ua shpreh ngushëllimet e mia më të thella të gjitha familjeve të të ndjerëve dhe u dëshiroj shërim të shpejtë të lënduarve”- shkroi ai.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, i cili ndodhet në Afrikë të Jugut për samitin e grupit BRICS, gjithashtu shprehu ngushëllime për këtë tragjedi.
“Me dhimbje nga fatkeqësia e urës në Mizoram”- shkroi Modi në rrjetin X, duke ofruar nga rreth 2.500 dollarë për të afërmit e të vdekurve dhe nga 600 dollarë për punëtorët e lënduar.
Mizorami është rajon malor e kodrinor afër kufirit të Indisë me Bangladeshin dhe Mianmarin.
Shembja e së martës nuk është e para në muajt e fundit që bëhet lajm në Indi. Në qershor, një urë betoni, që po ndërtohej mbi Lumin Gang, u shemb për herë të dytë brenda pak më shumë se një viti, duke ngritur pyetje për cilësinë e ndërtimit.
Në tetorin e kaluar, një urë e riparuar rishtazi u shemb në Gujarat, duke lënë të vdekur të paktën 135 persona.