Shembet një medrese në Indonezi, tre të vdekur e dhjetëra të zhdukur - NACIONALE

Shembet një medrese në Indonezi, tre të vdekur e dhjetëra të zhdukur

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Punëtorët indonezianë të shpëtimit të martën po mundoheshin të lokalizonin 38 persona për të cilët ka frikë se kanë mbetur të ngujuar nën rrënojat e një medreseje islame që u shemb në provincën e Javës Lindore, përderisa dhjetëra njerëz po i kryenin lutjet e pasdites, thanë autoritetet për menaxhimin e katastrofave.

Televizioni BBC raporton se deri më tani janë konfirmuar tre nxënës të vdekur, ndërsa agjencia e lajmeve “Reuters” tha se 102 persona u evakuuan nga medreseja “Al Khoziny” në qytezën Sidoarjo, kur një ndërtesë jostabile u shemb gjatë ndërtimit. Kështu tha në një deklaratë agjencia për menaxhimin e katastrofave.

“Kjo ndodhi e papritur bëri që materiali i ndërtesës të binte mbi dhjetëra nxënës dhe punëtorë” – tha zëdhënësi i kësaj agjencie, Abdul Muhari.

Një buldozer ishte në mesin e pajisjeve të rëndë që po përdorej nga punëtorët e kërkim-shpëtimit për t’i zhvendosur rrënojat, shtoi ai, ndërsa gati 80 persona të lënduar u dërguan në spital.

Në pamje të publikuara në televizionin “KompasTV” shihen familjet e studentëve të mbledhura rreth një tabele ku ishin publikuar emrat e të mbijetuarve.

Agjencia për menaxhimin e katastrofave tha se dyshohet që themeli i ndërtesës nuk mundi ta përballonte peshën e ndërtimit në katin e saj të katërt.

Lajme të ngjashme