Shembet dyshemeja e një tempulli mbi bunar në Indi, 35 të vdekur
Të paktën 35 njerëz kanë vdekur, pasi dyshemeja e një tempulli hindus në Indi u shemb, me ç’rast personat që ndodheshin mbi të ranë në bunar.
Merret vesh se dyshemeja mbi bunar përbëhej vetëm nga tjegullat e vendosura mbi një rrjetë metali, raporton gazeta “The Guardian”.
Autoritetet kanë nisur një hetim për këtë tragjedi dhe familjet e viktimave do të kompensohen, tha Narottam Mishra, ministër i Brendshëm në shtetin indian, Madhya Pradesh.
Një numër i madh i njerëzve, kryesisht gra dhe fëmijë, ndodheshin në tempull të enjten për festivalin hindus, “Ram Navami”. Në bunar kishte rreth 7,6 metra ujë, kur njerëzit ranë në të.
Në pamje të publikuara në televizion shihen punëtorët e emergjencës duke përdorur litarë e shkallë për të arritur te njerëzit e ngujuar.
“Pashë disa njerëz duke rënë me duart e tyre ende të bashkuara duke u lutur, dukeshin të hutuar”- tha një dëshmitare, e cila mbijetoi, sepse po qëndronte në një qoshe.
Zyrtarët thonë se operacioni i shpëtimit ishte duke vazhduar. “Kemi një ekip të madh të shpëtuesve, të plotësuar me personel ushtrie”- tha komisionari Pawan Sharma. “Kemi arritur që të shpëtojmë 18 persona, të cilët janë në spital”- shtoi ai.
Gazeta “The Times of India” ka raportuar se ka parë dokumente që tregojnë se autoritetet komunale në Indore kishin dhënë urdhër për largimin e dyshemesë së improvizuar në janar, sepse ajo ishte e rrezikshme, por ishin zmbrapsur, kur banorët lokalë kishin protestuar kundër atij vendimi.
Një tragjedi e ngjashme ndodhi në nëntorin e kaluar në Gujarat, në perëndim të Indisë, ku 135 persona – kryesisht gra dhe fëmijë – vdiqën në Lumin Morbi.
