Shemben dy ndërtesa banimi në Tripoli të Libanit, 15 njerëz të vdekur - NACIONALE

Shemben dy ndërtesa banimi në Tripoli të Libanit, 15 njerëz të vdekur

7 muaj më parë

nga NACIONALE

Numri i të vdekurve nga shembja e dy ndërtesave të banimit në qytetin verior libanez, Tripoli, ka shkuar në 15, sipas mediave shtetërore.

Tetë persona u shpëtuan të gjallë, tha drejtori i përgjithshëm i Mbrojtjes Civile, Imad Khreiss, raporton televizioni BBC.

Ai shtoi se dy ndërtesat që ishin të ngjitura me njëra-tjetrën shërbenin si vendbanim i 22 njerëzve, por autoritetet komunale paralajmëruan se mund të kishte ende njerëz të zhdukur.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale shfaqet momenti kur u shembën ndërtesat. Ky është rasti i pestë i shembjes së ndërtesave të banimit në Tripoli këtë dimër, duke e shtuar shqetësimin rreth ndërtesave të vjetra e jo të mirëmbajtura si duhet në qytetin më të varfër të Libanit.

Pas shembjes, një turmë e madhe njerëzish u mblodhën rreth vendit të ngjarjes. “Mijëra njerëz në Tripoli janë të rrezikuar për shkak të neglizhencës që ka zgjatur me vite. Situata është përtej kapaciteteve të komunës së Tripolit” – tha kryetari i qytetit, Abdel Hamid Karimeh.

Ai më vonë njoftoi se ia kishte dorëzuar dorëheqjen ministrit të Punëve të Brendshme.

Presidenti Joseph Aoun tha se ishte “duke i vëzhguar zhvillimet” dhe u bëri thirrje punëtorëve të shpëtimit në mbarë vendin që të mobilizoheshin.

Lajme të ngjashme