Shefi i Pentagonit arrin për vizitë në Ukrainë - NACIONALE

Shefi i Pentagonit arrin për vizitë në Ukrainë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, e vizitoi Ukrainën të hënën, në një shfaqje të përkrahjes së Uashingtonit për Kievin vetëm dy javë para zgjedhjeve presidenciale amerikane, që po paraqesin paqartësi për të ardhmen e përkrahjes perëndimore për Ukrainën.

Udhëtimi i Austinit, i katërti dhe me gjasë i fundit si shef i Pentagonit në administratën e presidentit Joe Biden, do të përfshijë diskutime të thella për përpjekjet e ShBA-së për ta ndihmuar Kievin që ta përforcojë mbrojtjen, përderisa forcat ruse po avancojnë në lindje të Ukrainës, raporton agjencia “Reuters”.

Megjithatë, në vizitë nuk pritet të përfshihet ndonjë marrëveshje e re nga ShBA-ja për disa prej kërkesave më të mëdha të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, si heqja e kufizimeve të Uashingtonit ndaj përdorimit të armëve amerikane për të goditur caqe larg përtej kufirit ukrainas, në territorin rus.

Përderisa administratës së presidentit Biden po i vjen fundi, Austini sinjalizoi vazhdimësi të përkrahjes amerikane.

“Ne do të vazhdojmë që ta përkrahim Ukrainën në përpjekjet e saj për ta mbrojtur territorin e saj sovran” – iu tha zyrtari i lartë amerikan gazetarëve që po udhëtonin me të drejt Ukrainës.

Vizita e tij vjen para zgjedhjeve të 5 nëntorit, kur ish-presidenti Donald Trump dhe nënpresidentja Kamala Harris do të garojnë për Shtëpinë e Bardhë.

Lajme të ngjashme