Shefi i Mossad-it pas vrasjes së Arourit: Kush mori pjesë në masakër, e ka nënshkruar urdhër-vdekjen
Pas vrasjes së nënkryetarit të Hamasit, Saleh al-Arouri, të martën në Bejrut të Libanit, drejtori i agjencisë izraelite të inteligjencës, Mossad, David Barnea, të mërkurën tha: “Le ta dijë secila nënë arabe se, nëse djai i saj ka marrë pjesë në masakër [më 7 tetor në Izrael], ai e ka nënshkruar urdhër-vdekjen e vet.”
Barnea e bëri këtë koment në funeralin e ish-drejtorit të Mossad-it, Zvi Zamir, i cili vdiq të martën, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Këto fjalë janë parafrazim i shprehjes së famshme të kryeministrit të parë të Izraelit, David Ben Gurion, i cili në një fjalim më 1963 kishte thënë: “Le ta dijë secila nënë hebreje se ajo ia ka besuar fatin e djemve të saj [ushtarë] komandantëve që ia vlen.”
Izraeli e vrau të martën nënkryetarin e Hamasit, Saleh al-Arouri, përmes një sulmi me dron në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, thanë burimet libaneze e palestineze të sigurisë, duke e shtuar rrezikun e mundshëm për përhapjen e luftës së Gazës shumë përtej enklavës palestineze.
Arouri, 57 vjeç, është udhëheqësi i parë i lartë politik i Hamasit që vritet që nga nisja e ofensivës tokësore e ajrore të Izraelit kundër këtij grupi gati tre muaj pas sulmit të befasishëm të tij në vendbanimet jugore izraelite, raporton agjencia “Reuters”.
Izraeli për një kohë të gjatë e kishte akuzuar Arourin për sulme ndaj shtetasve izraelitë, por një zyrtar i Hamasit tha se ai ishte edhe “në zemër të bisedimeve” të zhvilluara nga Katari e Egjipti për rezultatin e luftës në Gaza dhe lirimin e pengjeve izraelite që po mbahen nga Hamasi.
Autoritetet izraelite as nuk e kanë konfirmuar, as nuk e kanë mohuar vrasjen e figurës së lartë të Hamasit, por zëdhënësi ushtarak, Daniel Hagari, tha se forcat e vendit të tij ishin në gjendje të lartë gatishmërie dhe të përgatitura për çfarëdo skenari.