Shefi i Mbrojtjes i Gjermanisë urdhëron zgjerim të shpejtë të kapaciteteve luftarake - NACIONALE

Shefi i Mbrojtjes i Gjermanisë urdhëron zgjerim të shpejtë të kapaciteteve luftarake

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shefi i Mbrojtjes i Gjermanisë, Carsten Breuer, e ka urdhëruar ushtrinë gjermane që të jetë plotësisht e pajisur me armë dhe materiale të tjera deri në vitin 2029, sipas një dokumenti që e pa agjencia e lajmeve “Reuters” të dielën.

Deri në vitin 2029, Rusia mund t’i rindërtojë forcat e veta në masë të mjaftueshme për ta sulmuar territorin e NATO-s, sipas vlerësimeve të gjermanit Breuer dhe zyrtarëve të tjerë të lartë ushtarakë të NATO-s, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Dokumenti më i ri, me titullin “Prioritete Udhëzuese për Fuqizimin e Gatishmërisë”, të cilin Breueri e nënshkro më 19 maj, thotë se Gjermania do ta arrijë qëllimin me ndihmën e fondeve që janë vënë në dispozicion përmes lehtësimit të rregullave për borxhin publik në mars.

Ministria e Mbrojtjes në Berlin nuk iu përgjigj menjëherë kërkesave për koment.

Në dokumentin udhëzues, Breueri i caktoi prioritetet për armët që duhet të sigurohen ose të zhvillohen me urgjencën më të lartë, duke i pasqyruar pjesërisht prioritetet e vendosura më parë nga NATO-ja.

Në mesin e prioriteteve, Breueri e ka vendosur fuqizimin e mbrojtjes së varfëruar ajrore, me fokus të posaçëm te pengimi i dronëve.

Vitin e kaluar, burimet i thanë agjencisë “Reuters” se NATO-ja do të kërkojë nga Gjermania që të paktën ta katërfishojë mbrojtjen ajrore, duke filluar nga sistemet me rreze më të gjatë, si sistemi “Patriot”, deri te sistemet me rreze më të shkurtër.

Një prioritet tjetër është aftësia për të kryer sulme të thella e precize, sipas dokumentit, praktikisht duke goditur caqe në largësi më të madhe se 500 kilometra dhe larg prapa vijave të armikut.

Në mesin e prioriteteve të tjera në dokument janë zgjerimi i shpejtë i kapaciteteve të Gjermanisë në aspektin e pajisjeve luftarake elektronike dhe ndërtimi i një sistemi të qëndrueshëm të “kapaciteteve sulmuese dhe mbrojtëse” në hapësirë.

Në një fjalim që e mbajti para disa ditëve, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë gjermane, Alfons Mais, tha se një mobilizim social e industrial i shkallës së lartë nënkupton që forcat ruse po fitojnë shpejt fuqi zjarri.

“Nga viti 2029, më së voni, forcat ruse do të jenë të afta për një agresion konvencional kundër territorit të NATO-s në një shkallë të lartë, por ata mund të fillojnë të na testojnë shumë më herët” – paralajmëroi ai./Nacionale

Lajme të ngjashme