ShBA-ja u vendos sanksione katër gjykatësve të GjNP-së - NACIONALE

ShBA-ja u vendos sanksione katër gjykatësve të GjNP-së

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do t’u vendosin sanksione katër gjykatësve të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP) për shkak të atyre që i kanë cilësuar “veprime jolegjitime” që i kishin në shënjestër ShBA-në dhe Izraelin.

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, i njoftoi këto sanksione në një deklaratë të publikuar të enjten. Në shënjestër të këtyre masave janë Solomy Balungi Bossa nga Uganda, Luz del Carmen Ibanez Carranza nga Peruja, Reine Adelaide Sophie Alapini-Gansou nga Benini dhe Beti Hohler nga Sllovenia, shkruan gazeta “The Guardian”.

Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte urdhëruar zyrtarë që të përgatisnin sanksione kundër GjNP-së, pasi gjykata kishte lëshuar urdhërarreste për kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant. Ata akuzohen për udhëheqjen e ofensivës ushtarake izraelite në Gaza, e cila vlerësohet se ka shkaktuar krime lufte.

Dy prej gjykatësve të sanksionuar nga Uashingtoni i kishin autorizuar urdhërarrestet për Netanyahun dhe Gallantin, ndërsa dy të tjerë kishin autorizuar një hetim të GjNP-së për abuzimet e mundshme nga personeli amerikan në Afganistan.

“Si gjykatës të GjNP-së, këta katër individë janë angazhuar në mënyrë active në veprimet jolegjitime dhe të pabaza të GjNP-së që në shënjestër i kishin Amerikën dhe aleatin tonë të ngushtë, Izraelin” – tha kryediplomati amerikan.

Shtetet e Bashkuara tashmë kanë vendosur sanksione kundër kryeprokurorit të GjNP-së, Karim Khan, për shkak të rolit të tij në avancimin e urdhërarresteve për Netanyahun dhe Gallantin. Këto sanksione kanë ndikuar që Khani ta humbë qasjen në e-mailin e tij dhe xhirollogaritë e tij bankare janë ngrirë.

Amerikanët që punojnë në GjNP, e cila e ka selinë në Hagë, janë paralajmëruar se mund të arrestohen, nëse hyjnë në territorin e ShBA-së./Nacionale

Lajme të ngjashme