ShBA-ja thotë se Kanadaja do të pendohet për lejimin e veturave elektrike kineze në tregun e saj
Zyrtarë të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, thanë të premten se Kanadaja do të pendohet për vendimin e saj që ta lejojë Kinën të importojë deri në 49 mijë vetura elektrike kineze dhe se këto vetura nuk do të lejohen që të hyjnë në Shtetet e Bashkuara.
“Mendoj se ata do ta kthejnë kokën nga ky vendim dhe sigurisht se do të pendohen për sjelljen e veturave kineze në tregun e tyre” – tha sekretari i Transportit i Shteteve të Bashkuara, Sean Duffy, në një ngjarje bashkë me zyrtarë të tjerë qeveritarë në një fabrikë të prodhuesit “Ford” në Ohio, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Kanadaja në vitin 2024 u vendosi taksë prej 100 për qind veturave elektrike kineze pas masave të ngjashme nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, vendimi i ri për të lejuar vetura elektrike nga shteti aziatik ka nxitur alarm në Shtetet e Bashkuara për shkak të mundësisë që kjo masë mund t’ia dhurojë Kinës për t’u shtrirë më gjerësisht në Amerikën e Veriut, në kohën kur Uashingtoni po merr pozicion gjithnjë më të ashpër edhe ndaj automjeteve kanadeze dhe pjesëve të tyre.
Përfaqësuesi për Tregti i Shteteve të Bashkuara, Jamieson Greer, tha se numri i kufizuar i automjeteve kineze nuk do të ndikojë te kompanitë amerikane të veturave që eksportojnë automjete në Kanada.
“Unë nuk pres që kjo t’i pengojë dërgesat amerikane drejt Kanadasë. Ato vetura do të shkojnë në Kanada, nuk do të vijnë këtu” – shtoi ai.
Ambasada e Kanadasë në Uashington nuk komentoi menjëherë.
Greer në një intervistë e cilësoi si “problematik” vendimin e Kanadasë dhe shtoi: “Është një arsye pse ne nuk shesim shumë vetura kineze në Shtetet e Bashkuara. Është për shkak se kemi taksa për t’i mbrojtur punëtorët e auto-industrisë amerikane dhe amerikanët nga ato automjete.”/Nacionale