ShBA-ja thotë se Izraeli s’i ka shkelur ligjet e saj kundër bllokimit të ndihmave në Gaza
Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Izraeli nuk i ka shkelur ligjet amerikane rreth bllokimit të furnizimit me ndihma, pas një afati 30-ditor që i kishin dhënë këtij shteti për ta zgjeruar qasjen në ndihma humanitare në Gaza ose në të kundërtën do ta rrezikonte ndërprerjen e disa ndihmave ushtarake.
Disa zyrtarë amerikanë thanë të martën se Izraeli ka bërë disa hapa për t’i adresuar kërkesat e ShBA-së për shtimin e ndihmave në Gaza, por shtuan se duhet të bëhet më shumë progres, raporton televizioni BBC.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, i përmendi hapjen e një pikëkalimi të ri tokësor dhe rifillimin e dërgesave në pjesën veriore të Gazës, edhe pse nuk tregoi nëse ndonjë ndihmë kishte hyrë në kampin e rrethuar të refugjatëve në Jabalia.
Pavarësisht nga pretendimet e Shteteve të Bashkuara, OKB-ja ka paralajmëruar se sasia e ndihmave që po hyjnë në Gaza është në nivelin më të ulët në një vit.
Joyce Msuya, nënsekretare e përgjithshme në detyrë për çështje humanitare në OKB, tha se në Gaza ishin duke u kryer krime ndërkombëtare.
Ajo raportoi të martën para anëtarëve të këshillit në Kombe të Bashkuara, duke thënë se autoritetet izraelite ishin duke e bllokuar hyrjen e asistencës humanitare në pjesën veriore të Gazës, ku luftimet vazhdojnë.
Sipas saj, 75 mijë njerëz mbeten atje me furnizime që po pakësohen.
Muajin e kaluar, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Anthony Blinken, i dha Izraelit 30 ditë kohë për t’u siguruar që më shumë kamionë me ndihma do të arrinin në Gaza për çdo ditë. Ky afat skadoi të martën./Nacionale