ShBA-ja sanksionon presidentin e Kolumbisë, gruan e tij dhe djalin e tyre - NACIONALE

ShBA-ja sanksionon presidentin e Kolumbisë, gruan e tij dhe djalin e tyre

10 muaj më parë

nga NACIONALE

Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara njoftoi të premten se do ta sanksionojë presidentin e Kolumbisë, Gustavo Petro, “për rolin e tij në tregtinë e palejuar globale të drogës”. Do të sanksionohen edhe bashkëshortja dhe i biri i presidentit si dhe ministri i Punëve të Brendshme.

“Që nga koha kur Gustavo Petro erdhi në pushtet, prodhimi i kokainës në Kolumbi ka shpërthyer në shkallën më të lartë në dekada, duke i vërshuar Shtetet e Bashkuara dhe duke i helmuar amerikanët” – tha në një deklaratë sekretari i Thesarit i ShBA-së, Scott Bessent, raporton televizioni CNN.

Petro u kundërpërgjigj shpejt në rrjetin X, duke thënë se kishte angazhuar një avokat amerikan dhe synon që t’i luftojë këto sanksione.

“Luftimi i trafikimit të drogës me dekada – dhe bërja e kësaj në mënyrë aq efikase – ma ka sjellë mua këtë masë mu nga qeveria e shoqërisë që ne e ndihmuam aq shumë për ta kufizuar konsumimin e kokainës” – tha Petro, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara. “Goxha paradoks, por asnjë hap prapa dhe kurrë në gjunjët tanë” – shtoi ai.

Tensionet mes Qeverisë së Kolumbisë dhe presidentit Donald Trump të ShBA-së janë rritur me muaj, sidomos nga koha kur Shtetet e Bashkuara i shtuan aktivitetet ushtarake në pjesën jugore të Karaibeve.

Sanksionet erdhën disa ditë pasi Trumpi tha se i kishte ndalur “të gjitha pagesat” për Kolumbinë. Departamenti i Shtetit i ShBA-së gjithashtu ia anuloi vizën Petros në përfundim të sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së muajin e kaluar.

Edhe ministri i Brendshëm i Kolumbisë, Armando Benedetti, i kritikoi sanksionet amerikane përmes një shkrimi të publikuar në rrjetin X, duke thënë se ai “kurrë nuk kishte hyrë në shtëpinë e madje një trafikuesi të drogës”./Nacionale

Lajme të ngjashme