ShBA-ja propozon rezolutë të ndryshuar në Këshillin e Sigurimit për armëpushim në Gaza - NACIONALE

ShBA-ja propozon rezolutë të ndryshuar në Këshillin e Sigurimit për armëpushim në Gaza

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara e qarkulluan të enjten vonë draftin përfundimtar të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me të cilën do të përkraheshin përpjekjet ndërkombëtare për vendosjen e “një armëpushimi të menjëhershëm e të qëndrueshëm” në luftën Izrael – Hamas si pjesë e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve që po mbahen nga Hamasi.

Nuk është caktuar koha për votim dhe drafti, i siguruar nga agjencia “Associated Press”, ende mund të ndryshohet.

ShBA-ja e kishte qarkulluar draftin fillestar më 19 shkurt, një ditë para se të bllokonte një rezolutë të mbështetur nga vendet arabe, me të cilën do të kërkohej një armëpushim i menjëhershëm humanitar në Rripin e Gazës, duke thënë se dokumenti do të ndërhynte në bisedimet për një marrëveshje rreth lirimit të pengjeve.

Bisedimet diplomatike kanë ngecur që nga dështimi i përpjekjeve për të arritur një armëpushim para fillimit të Ramazanit - afat joformal që kaloi pa ndonjë pakt.

Ushtria izraelite tha të mërkurën se do të ecë tutje me ofensivën e saj të planifikuar në qytetin jugor të Gazës, Rafah – ku 1,4 milion palestinezë të zhvendosur kanë kërkuar strehim – dhe planifikon që t’i lëvizë civilët drejt “ishujve humanitarë” në qendër të enklavës.

Drafti amerikan, i vënë “në të kaltër” të enjten vonë – që do të thotë se është në një formë që mund të votohet – është versioni i pestë i tekstit dhe në të janë bërë disa ndryshime kyçe.

Në draftin fillestar theksohej se për një armëpushim të përkohshëm “sa më shpejt që është i zbatueshëm” kërkohet lirimi i të gjitha pengjeve dhe bëhej thirrje për heqjen e të gjitha kufizimeve rreth shpërndarjes së ndihmave humanitare.

Drafti përfundimtar “pa mëdyshje i mbështet përpjekjet diplomatike ndërkombëtare për vendosjen e një armëpushimi të menjëhershëm e të qëndrueshëm si pjesë e një marrëveshjeje që i liron pengjet dhe që e lejon bazën për një paqe më të qëndrueshme për lehtësimin e vuajtjes humanitare” – duke e eliminuar fjalën “i përkohshëm”.

Në draftin e ri gjithashtu thuhet se “dritarja e mundësisë së krijuar nga ndonjë armëpushim” duhet të përdoret për t’i intensifikuar përpjekjet diplomatike për krijimin e kushteve “për një ndërprerje të qëndrueshme të armiqësive dhe paqe të qëndrueshme”.

Lajme të ngjashme