ShBA-ja pritet të goditet nga një stuhi e fuqishme nga e mërkura - NACIONALE

ShBA-ja pritet të goditet nga një stuhi e fuqishme nga e mërkura

3 vjet më parë

nga NACIONALE

Stuhia “Idalia” është shndërruar në uragan me erë me shpejtësi maksimale prej 120 kilometrash në orë dhe pritet që të arrijë në kategorinë e tretë të uraganeve para se të arrijë në territorin tokësor të Floridës së Shteteve të Bashkuara të mërkurën, sipas Qendrës Kombëtare të Uraganeve.

Kjo stuhi mund të jetë goditje e rëndë në disa pjesë të bregdetit të Floridës në Gjirin e Meksikës me mot që përbën rrezik për jetë dhe erë të dëmshme. Pritet që stuhia të arrijë në territor tokësor në veri të Tampas të rajonit Big Bend në Florida, por një ndryshim i vogël në rrugën e saj mund ta vërë më shumë në rrezik qendrën e banimit, raporton televizioni CNN.

Para se të arrijë në territor tokësor, stuhia “Idalia” mund të sjellë disa tornado përgjatë bregdetit qendror-perëndimor të Floridës të martën dhe më në veri, në Big Bend, deri të martën në mbrëmje. Reshjet e dendura mund të shkaktojnë vërshime në disa pjesë të bregdetit perëndimor të Floridës dhe në jug të Xhorxhias të martën e të mërkurën, duke u përhapur edhe në disa pjesë lindore të Karolinës Veriore e Karolinës Jugore të mërkurën e të enjten.

Në përditësimin e orës 5 të mëngjesit, Qendra Kombëtare e Uraganeve tha se stuhia ishte duke lëvizur rreth 600 kilometra në jugperëndim të Tampas të martën. “Ky do të jetë një uragan i madh”- tha të hënën në një konferencë për gazetarë guvernatori i Floridës, Ron DeSantis.

Aeroporti Ndërkombëtar i Tampas do t’i pezullojë të gjitha operacionet komerciale nga e marta dhe do të qëndrojë mbyllur derisa të vlerësojë ndonjë dëm më vonë gjatë javës, njoftuan zyrtarët e këtij aeroporti.

Autoritetet në 32 distrikte shkollash kanë njoftuar për mbylljen e tyre. Masë të njëjtë kanë ndërmarrë edhe shumë kolegje e universitete, përfshirë Universitetin Shtetëror të Floridës.

Më shumë se pesë mijë pjesëtarë të Gardës Kombëtare të Floridës janë aktivizuar për të ofruar ndihmë gjatë stuhisë.

Lajme të ngjashme