ShBA-ja po punon për një armëpushim 60-ditor në Liban, thonë burimet
Ndërmjetësit amerikanë janë duke punuar në një propozim për t’u dhënë fund gradualisht armiqësive mes ushtrisë izraelite dhe grupit të armatosur libanez, Hezbollah, duke filluar me një armëpushim dymujor, i thanë të mërkurën agjencisë “Reuters” dy burime me njohuri rreth bisedimeve.
Burimet - një person i njoftuar rreth bisedimeve dhe një diplomat i lartë që është duke punuar për çështjen e Libanit – thanë se periudha dymujore do të shfrytëzohej për ta finalizuar zbatimin e plotë të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e miratuar më 2006 për ta mbajtur pjesën jugore të Libanit pa armë që nuk i përkasin shtetit libanez, raporton agjencia “Reuters”.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Liban nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.
Rezoluta 1701 ka qenë shtyllë e bisedimeve për t’u dhënë fund luftimeve vitin e fundit mes Izraelit dhe Hezbollahut, të cilat shpërthyen paralelisht me luftën në Gaza dhe që janë përshkallëzuar në mënyrë dramatike në pesë javët e kaluara.
Emisari i presidentit Joe Biden të ShBA-së, Amos Hochstein, që është duke punuar në propozimin e ri, tha para gazetarëve në Bejrut më herët këtë muaj se nevojiteshin mekanizma më të mirë për zbatim, pasi as Izraeli, as Libani nuk e kishin zbatuar plotësisht rezolutën.
Diplomati i lartë dhe burimi i njoftuar rreth bisedimeve i thanë agjencisë “Reuters” se armëpushimi 60-ditor ka zëvendësuar një propozim të muajit të kaluar nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera, në të cilin parashihej armëpushim trejavor si prelud për hyrjen e plotë në fuqi të Rezolutës 1701.
Megjithatë, të dyja burimet paralajmëruan se marrëveshja mund të dështojë. “Është një shtytje serioze për të arritur te një armëpushim, por ende është vështirë për ta materializuar” – tha diplomati.