ShBA-ja përgatitet për një stuhi dimërore “tepër të rrezikshme”
Më shumë se 160 milionë amerikanë pritet që të ballafaqohen me një stuhi dimërore jashtëzakonisht të ashpër nga e premtja. Meteorologët parashikojnë borë të dendur e shi të ftohtë.
Stuhia pritet që të përfshijë një pjesë të madhe të territorit të Shteteve të Bashkuara, duke lënë kushte “tepër të rrezikshme” gjatë lëvizjes së saj, tha Shërbimi Kombëtar i Motit, raporton televizioni BBC.
Ky shërbim paralajmëroi se stuhia me prejardhje nga Arktiku do të sjellë temperatura nën zero dhe acar me erë, të cilat paraqesin “rrezik për jetën nga hipotermia dhe ngrirja ndaj lëkurës së ekspozuar”.
Zyrtarët amerikanë të transportit, përfshirë autoritetet e aeroporteve në disa qytete të mëdha, kanë paralajmëruar për pengesa në udhëtime, vonesa e anulime gjatë fundjavës.
Stuhia dimërore parashikohet se do të lëviz ngadalë mbi Shtetet e Bashkuara, duke mbuluar me borë qytete si Memphis, Nashville, Uashington DC, Baltimore, Philadelphia dhe Nju-Jork.
Vozitësit e automjeteve duhet ta shmangin vozitjen gjatë fundjavës, pasi udhëtimet pritet të jenë “pothuajse të pamundshme gjatë kulmit të stuhisë” – thanë meteorologët e Shërbimit Kombëtar të Motit, Rich Otto dhe Tony Fracasso.
Në Kanada, temperaturat e acarta tashmë e kanë përfshirë vendin. Reshje të borës priten në pjesët lindore të hënën, sipas meteorologut Geoff Coulson.