ShBA-ja përgatit pako ndihmash prej 8 miliardë dollarësh për vizitën e Zelenskyt
Shtetet e Bashkuara planifikojnë që të njoftojnë asistencë ushtarake me vlerë prej më shumë se 8 miliardë dollarësh për Ukrainën të enjten, gjatë vizitës së presidentit Volodymyr Zelensky në Uashington, thanë të mërkurën dy zyrtarë amerikanë.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, është angazhuar në diskutime urgjente me Kongresin për ta lejuar atë që të shfrytëzojë 5,6 miliardë dollarë për ndihmë ushtarake për Ukrainën para 30 shtatorit, që është fundi i vitit fiskal federal dhe kur autorizimit i skadon afati, raporton agjencia “Reuters”.
Zyrtarët amerikanë thanë se Shtëpia e Bardhë synon që të enjten ta njoftojë Kongresin se do të lëvizë përpara me njoftimin për tërheqjen e 5,6 miliardë dollarëve vlerë nga rezervat e armëve. Përmbajtja e pakos është ende në diskutim, thanë zyrtarët.
Në një njoftim tjetër, që pritet të jepet të enjten, bëhet fjalë për pako me vlerë të 2,4 miliardë dollarëve si pjesë e Nismës për Asistencë ndaj Sigurisë së Ukrainës, që e lejon administratën të blejë armë për Ukrainën nga kompani, pa pasur nevojë që të marrë nga rezervat amerikane.
Pakoja do të përfshijë municione, armë kundër dronëve dhe materiale për ta mbështetur prodhimin e municionit në Ukrainë, tha njëri prej zyrtarëve amerikanë.
Për më tepër, ShBA-ja njoftoi të mërkurën ndihmë me vlerë të 375 milionë dollarëve për Ukrainën, ku do të përfshihet dërgesa e parë e një bombe precize rrëshqitëse me rreze veprimi deri në 130 kilometra, thanë dy zyrtarë amerikanë.
Pakoja, për të cilën agjencia “Reuters” raportoi javën e kaluar, përfshin barka patrulluese, municion shtesë për sistemet raketore, municion 155- dhe 105-milimetërsh për artilerinë, pjesë rezervë dhe armë të tjera./Nacionale