ShBA-ja për herë të parë do të ofrojë shërbime pasaportash në një vendbanim të Bregut Perëndimor - NACIONALE

ShBA-ja për herë të parë do të ofrojë shërbime pasaportash në një vendbanim të Bregut Perëndimor

5 muaj më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë shërbim pasaportash këtë javë në një vendbanim të Bregut Perëndimor, duke e shënuar herën e parë që zyrtarët e konsullatave amerikane ofrojnë shërbime të tilla për kolonët në territorin e pushtuar, thanë të martën zyrtarët amerikanë.

Pjesa më e madhe e botës i konsideron vendbanimet në Bregun Perëndimor si të paligjshme sipas së drejtës ndërkombëtare. Izraeli e kundërshton këtë vlerësim dhe shumë figura të së djathtës politike izraelite e mbrojnë idenë e aneksimit të Bregut Perëndimor, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Në një postim në rrjetin X, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Jerusalem tha se si pjesë e përpjekjeve për të arritur te të gjithë amerikanët jashtë vendit, “shërbimet konsullore do të ofrojnë shërbime rutinore për pasaporta në Efrat të premten, më 27 shkurt”, duke iu referuar një vendbanimi që ndodhet në jug të qytetit palestinez të Betlehemit.

Ambasada tha se do të planifikojë shërbime të ngjashme në terren edhe në qytetin palestinez të Ramallahut, në vendbanimin Beitar Illit afër Betlehemit dhe në qytete brenda Izraelit si Haifa.

ShBA-ja ofron shërbime pasaportash dhe shërbime konsullore në Ambasadën e saj në Jerusalem dhe në zyrën e degës së saj në Tel-Aviv. Vlerësohet se dhjetëra mijëra persona me shtetësi të dyfishtë izraelite e amerikane jetojnë në Bregun Perëndimor.

Kur iu kërkua koment, një zëdhënës i Ambasadës së ShBA-së në Jerusalem tha: “Kjo është hera e parë që ne i kemi ofruar shërbime konsullore një vendbanimi në Bregun Perëndimor.” Ai shtoi se shërbime të ngjashme do t’u ofrohen edhe personave me shtetësi të dyfishtë amerikane e palestineze në Bregun Perëndimor.

Javën e kaluar, kabineti qeveritar izraelit miratoi masa për ta shtrënguar kontrollin e Izraelit mbi Bregun Perëndimor dhe për t’ua bërë më të lehtë kolonëve blerjen e tokave atje, lëvizje që nga palestinezët u cilësua “de fakto aneksim”./Nacionale

Lajme të ngjashme