ShBA-ja ofron shpërblim marramendës për të dhëna rreth financave të Hamasit
Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë shpërblim deri në dhjetë milionë dollarë për personin ose personat që ofrojnë të dhëna rreth pesë financuesve të Hamasit ose çfarëdo shenje që çon te pengimi i mekanizmave financiar të këtij grupi, tha të premten Departamenti i Shtetit.
Oferta për shpërblim vjen pas katër valëve të sanksioneve të ShBA-së ndaj Hamasit pas sulmit vdekjeprurës të këtij grupi më 7 tetor në jug të Izraelit. Autoritetet izraelite thonë se 1.200 njerëz janë vrarë gjatë sulmit. Sipas zyrtarëve palestinezë, nga hakmarrja ushtarake pasuese e Izraelit janë vrarë 22.600 njerëz, raporton agjencia “Reuters”.
Pesë financierët e përmendur nga ShBA-ja janë: Abdelbasit Hamza Elhassan Khair, Amer Kamal Sharif Alshawa, Ahmed Sadu Jahleb, Walid Mohammed Mustafa Jadallah dhe Muhammed Ahmad ‘Abd Al-Dayim Nasrallah, të cilët më parë janë cilësuar terroristë globalë nga Shtetet e Bashkuara, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.
Financuesi i parë, i njohur si Hamza, ndodhet në Sudan, ka menaxhuar disa kompani në portofolin e investimeve të Hamasit dhe ka qenë i përfshirë në transferimin e gati 20 milionë dollarëve për Hamasin, tha Departamenti i Shtetit. Sipas amerikanëve, ai ka lidhje me presidentin e Sudanit, Omar Bashir, dhe me grupe islamike që e minojnë stabilitetin në këtë shtet afrikan.
Shpërblimi do të jepej për të dhëna rreth cilitdo burim të të ardhurave për Hamasin, për donatorë të rëndësishëm, institucione financiare që i lehtësojnë transaksionet për Hamasin, kompani që blejnë teknologji për përdorim të dyfishtë për këtë grup dhe skema kriminale për dobinë e Hamasit, tha Departamenti i Shtetit.