ShBA-ja njofton pako të re 500-milionëshe të armëve për Ukrainën - NACIONALE

ShBA-ja njofton pako të re 500-milionëshe të armëve për Ukrainën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Administrata e presidentit amerikan në largim, Joe Biden, njoftoi të enjten një pako tjetër të ndihmave ushtarake për Ukrainën me vlerë të 500 milionë dollarëve, sipas një deklarate të sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha më herët se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë që të ofrojnë pako shtesë për Ukrainën “deri në fundin e kësaj administrate”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Para vetëm dhjetë ditëve, Uashingtoni kishte thënë se do t’i dërgonte Ukrainës raketa, municion, mina kundër personelit dhe armë të tjera me vlerë të përgjithshme prej 725 milionë dollarësh.

Administrata në largim e Bidenit po synon që ta fuqizojë Ukrainën gjatë luftës së saj kundër pushtimit rus para se t’i përfundojë mandati në janar, kur presidenti i zgjedhur republikan, Donald Trump, do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Sipas Blinkenit, në pakon e re 500-milionëshe përfshihet municioni për sistemin raketor HIMARS dhe për atë HARM, mes tjerash.

Pas të enjtes, armë me vlerë prej 5,6 miliardë dollarësh mbeten në dispozicion për t’u shfrytëzuar nga Bideni sipas Autoritetit Presidencial të Tërheqjes, i cili mundëson tërheqje të armëve nga rezervat amerikane pa nevojën që pakon të miratohen nga Kongresi.

Forcat ruse kanë kapur fshat pas fshati në pjesën lindore të Ukrainës, si pjesë e përpjekjeve për ta marrë nën kontroll të plotë rajonin industrial të Donbasit, ndërsa në shënjestër të pushtuesve rusë është edhe rrjeti i energjisë elektrike i Ukrainës, përderisa një dimër tjetër lufte po afrohet.

Lajme të ngjashme