ShBA-ja ngre aktakuzë ndaj Sinwarit dhe 5 të tjerëve të Hamasit për sulmin e 7 tetorit në Izrael
Shtetet e Bashkuara të martën njoftuan për ngritjen e aktakuzës kundër udhëheqësve të Hamasit për rolin e tyre në planifikimin, mbështetjen dhe kryerjen e sulmit vdekjeprurës të 7 tetorit në jug të Izraelit.
Në akuzat kundër udhëheqësit të Hamasit, Yahya Sinwar, dhe të paktën pesë të tjerëve, ata akuzohen për orkestrimin e sulmit të 7 tetorit, kur ishin vrarë rreth 1.200 njerëz, përfshirë më shumë se 40 amerikanë, raporton agjencia “Reuters”.
Ky sulm e kishte nxitur operacionin ushtarak izraelit në Gaza, nga i cili tashmë raportohet se janë vrarë më shumë se 40 mijë e 800 palestinezë dhe është shkatërruar një pjesë e madhe e enklavës.
“Siç është përvijuar në ankesën tonë, ata të pandehur – të armatosur me armë, përkrahje politike dhe financim nga Qeveria e Iranit, dhe me përkrahje nga [Hezbollahu] – i kanë udhëhequr përpjekjet e Hamasit për ta shkatërruar Shtetin e Izraelit dhe për të vrarë civilë në përkrahje të atij qëllimi” – tha në një deklaratë kryeprokurori i ShBA-së, Merrick Garland.
Në aktakuzë përmenden gjashtë të pandehur, tre prej të cilëve tashmë janë të vdekur. Të gjallët janë Sinwari, që besohet se është duke u fshehur në Gaza; Khaled Meshaal, që ndodhet në Doha dhe e udhëheq zyrën e Hamasit për diasporën; dhe Ali Baraka, zyrtar i lartë i Hamasit që ndodhet në Liban.
Të pandehurit e vdekur janë ish-udhëheqësi i Hamasit, Ismail Haniyeh, që u vra në Teheran në korrik; shefi i krahut ushtarak, Mohammed Deif, për të cilin Izraeli ka thënë se është vrarë nga një sulm ajror në korrik; dhe Marwan Issa, ish-nënkomandant ushtarak, për të cilin Izraeli ka thënë se e kishte vrarë me një sulm në mars të këtij viti.
Prokurorët amerikanë e kishin ngritur aktakuzën kundër këtyre gjashtë figurave në shkurt, por dokumentin nuk e kishin publikuar me shpresë se Haniyeh-u do të kapej, sipas një zyrtari të Departamentit të Drejtësisë.