ShBA-ja me shitje rekorde të armëve më 2023, veç në Poloni dhjetëra miliarda dollarë
Shitjet e armëve amerikane jashtë vendit shënuan rritje të konsiderueshme vitin e kaluar, duke arritur në nivel rekord prej 238 miliardë dollarësh, përderisa pushtimi rus i Ukrainës e shtoi kërkesën.
Departamenti i Shtetit raportoi se qeveria amerikane kishte negociuar drejtpërdrejt për 81 miliardë dollarë shitje të armëve, 56 për qind më shumë se në vitin 2022, raporton televizioni BBC.
Pjesa tjetër përbëhet nga shitje të drejtpërdrejta nga kompanitë amerikane të mbrojtjes te shtetet e huaja.
Fqinja e Ukrainës, Polonia, që tash për tash është rrugës për ta zgjeruar ushtrinë e vet, i ka bërë disa nga blerjet më të shtrenjta.
Polonia ka blerë helikopterë “Apache” për 12 miliardë dollarë dhe gjithashtu ka paguar 10 miliardë dollarë për sisteme raketore “Himars” e 3,75 miliardë dollarë për tanke “M1A1 Abrams”, thuhet në raportin e Departamentit të Shtetit për vitin fiskal të qeverisë amerikane, i cili ka përfunduar në tetor.
Shteti i Evropës Qendrore shpenzoi edhe 4 miliardë dollarë në Sisteme të Integruara Ajrore e Raketore të Mbrojtjes.
Kryeministri polak, Donald Tusk, është zotuar se do ta vazhdojë programin e qeverisë së kaluar konservatore për modernizimin e ushtrisë, me të cilin synohet që Polonia të bëhet “forca tokësore më e fuqishme në Evropë”.
Gjermania, ndërkohë, ka shpenzuar 8,5 miliardë dollarë për helikopterë të tipit “Chinook”. Bullgaria ka paguar 1,5 miliard dollarë për automjete të blinduara “Stryker”, ndërsa Norvegjia ka blerë helikopterë shumëfunksionalë me vlerë të 1 miliard dollarëve.
Republika Çeke ka blerë aeroplanë luftarakë F-35 e municion me vlerë të përgjithshme prej 5,6 miliardë dollarësh.
Përpos luftës në Ukrainë, shitja e armëve u forcua edhe nga shtetet që janë larguar nga Rusia, e cila ka qenë shitësja e dytë më e madhe e armëve pas ShBA-së me dekada, sipas shefit të zyrës për transferim të armëve në Departamentin e Shtetit.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka argumentuar se përkrahja e vendit të tij për Ukrainën e fuqizon ekonominë amerikane përmes shitjes së armëve.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli