ShBA-ja lehtëson një pjesë të sanksioneve ndaj Bjellorusisë, përfshirë ato për aeroplanin e Lukashenkos
Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara të martën lehtësoi disa sanksione ndaj Bjellorusisë, duke i hequr masat ndëshkuese kundër kompanisë ajrore shtetërore dhe duke lejuar transaksione që lidhen me aeroplanin presidencial të presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko.
Kjo është lëvizja më e re në periudhën e përmirësimit të marrëdhënieve mes dy vendeve pas disa viteve të përpjekjeve të Uashingtonit për ta izoluar Minskun, ku përfshihej vendosja e sanksioneve edhe ndaj vetë Lukashenkos, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Në shtator, Bjellorusia liroi 52 të burgosur pas një apeli nga presidenti amerikan, Donald Trump, pasi kishte marrë premtim për lehtësim sanksionesh ndaj kompanisë ajrore kombëtare, “Belavia”, duke i lejuar servisim dhe blerje pjesësh për aeroplanët e saj.
Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja e Departamentit të Thesarit të martën formalisht ua hoqi sanksionet kompanisë “Belavia” dhe një aeroplani që operohet prej saj dhe për të cilin Departamenti më parë kishte thënë se përdorej nga zyrtarë të lartë dhe anëtarë të familjes së Lukashenkos.
Ky institucion gjithashtu lëshoi një licencë të përgjithshme që lejon transaksione të lidhura me përdorimin e tre aeroplanëve nga Lukashenko ose “Slavkali”, kompani e lidhur me pushtetin e tij autoritar. Këta aeroplanë më herët ishin nën sanksione.
Sidoqoftë, një varg sanksionesh amerikane ndaj Bjellorusisë, që janë vendosur për shkak të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, për të cilat Uashingtoni ka thënë se ishin me mashtrime, si dhe për shkak të përkrahjes së Bjellorusisë për Rusinë dhe për çështje të tjera, mbeten në fuqi, përfshirë sanksionet ndaj Lukashenkos dhe familjes së tij./Nacionale