ShBA-ja, Japonia, Australia e Filipinet do të zhvillojnë ushtrime në Detin Jugor të Kinës
Shtetet e Bashkuara, Japonia, Australia dhe Filipinet do t’i mbajnë ushtrimet e para të përbashkëta detare, përfshirë trajnimin për luftime kundër nëndetëseve, si shfaqje e forcës të dielën në Detin Jugor të Kinës, ku veprimet agresive të Pekinit për t’i mbrojtur pretendimet e veta territorial kanë shkaktuar alarm.
Katër vendet aleate, partnere në fushën e sigurisë, do të mbajnë ushtrime për ta siguruar “sundimin e ligjit që është themel për një rajon paqësor dhe të qëndrueshëm të Indo-Paqësorit” dhe për t’i mbështetur lirinë e lundrimit dhe të fluturimeve, thuhet në një deklaratë të përbashkët të shefave të mbrojtjes të shtunën, raporton agjencia "Associated Press".
Kina nuk u përmend me emër në deklaratë, por katër shtetet e ripohuan qëndrimin e tyre se një vendim i arbitrazhit ndërkombëtar i vitit 2016, që i kishte shpallur të pavlefshme pretendimet e Kinës për zgjerim në bazë historike, është përfundimtar dhe ligjërisht i detyrueshëm.
Kina ka refuzuar që të marrë pjesë në arbitrazh, e ka hedhur poshtë vendimin dhe vazhdon që ta sfidojë atë. Filipinet e kishin paraqitur mosmarrëveshjen me Kinën në arbitrazh ndërkombëtar më 2013 pas një ballafaqimi të tensionuar në det.
Nuk pati koment të menjëhershëm nga Kina për ushtrimet e përbashkëta të katër shteteve.
Vitin e kaluar, Ministria e Jashtme e Kinës paralajmëroi kundër ushtrimeve ushtarake ku përfshihen Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre në ujërat e kontestuara, duke pretenduar se po ia dëmtojnë interesat territoriale të sigurisë.
Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, tha përmes një deklarate se këto ushtrime “e nënvizojnë përkushtimin tonë të përbashkët për të garantuar që të gjitha shtetet janë të lira për të fluturuar, lundruar dhe operuar kudo që e lejon e drejta ndërkombëtare”.