ShBA-ja ia miraton Arabisë Saudite blerjen milionëshe të raketave me laser, APKWS
Departamenti i Shtetit i ShBA-së e ka miratuar atë që do të ishte shitja e parë e sistemeve të avancuara precize të armëve për vrasje (APKWS) në Arabinë Saudite për rreth 100 milionë dollarë, tha Pentagoni të enjten.
Shitja potenciale vjen në kohën kur Shtetet e Bashkuara vazhduan një valë sulmesh ndaj caqeve të rebelëve Houthi në Jemen, e cila nisi të shtunën e kaluar, duke lënë të vrarë të paktën 31 persona në operacionin më të madh të tillë që nga rikthimi i presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në janar, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sistemi i avancuar preciz i armëve për vrasje (APKWS), i miratuar për shitje në Arabinë Saudite, është raketë me drejtuar me laser që mund të godasë caqe në ajër e në sipërfaqe. Çmimi i një rakete të tillë është rreth 22 mijë dollarë, duke e bërë atë zgjedhje efikase sa i përket kostos për të rrëzuar dronë të vegjël të armatosur, si ata që janë përdorur nga rebelët Houthi për ta penguar lundrimin e anijeve nëpër Detin e Kuq.
Agjencia për Bashkëpunim në Sigurinë e Mbrojtjes e Pentagonit e njoftoi të enjten Kongresin për shitjen e mundshme të dy mijë raketave të tilla dhe pajisjeve shoqëruese e trajnimeve në Arabinë Saudite.
Pavarësisht nga miratimi prej Departamentit të Shtetit, në njoftim nuk tregohet se është nënshkruar një kontratë ose nëse bisedimet janë përmbyllur.
Lufta civile në Jemen shpërtheu në fund të vitit 2014, kur rebelët Houthi e morën nën kontroll kryeqytetin Sanaa. E shqetësuar nga ndikimi në rritje i Iranit përgjatë kufijve të saj, Arabia Saudite udhëhoqi një koalicion të mbështetur nga Perëndimi në mars të vitit 2015 për ta përkrahur qeverinë jemenase të mbështetur nga sauditët.