ShBA-ja i ofron asistencë Rusisë për hetimin e sulmit masiv afër Moskës
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Rusi, Lynne Tracy, lëshoi të premten një deklaratë të pazakonshme diplomatike për t’i përgënjeshtruar pretendimet e qeverisë ruse për të dhënat që ShBA-ja i kishte ndarë me Rusinë para sulmit terrorist të javës së kaluar ndaj një salle koncertesh afër Moskës që la mbi 140 të vrarë. Ajo madje premtoi asistencë, duke iu përgjigjur kërkesave për të dhëna rreth këtij rasti.
Zonja Tracy tha se disa zyrtarë rusë e kishin “keqinterpretuar dhe publikisht e kishin hedhur poshtë” dobinë e të dhënave që u ishin ofruar shërbimeve ruse të sigurisë më herët këtë muaj në lidhje me rreziqet nga ISIS-i, grup që e mori përgjegjësinë për sulmin pak kohë pas përfundimit të tij, raporton Radio “Evropa e Lirë”.
Në deklaratë, ambasadorja amerikane ritheksoi se të dhënat e ndara me autoritetet ruse ishin të shkruara, specifike, në kohë dhe të besueshme.
Ajo tha se Shtetet e Bashkuara i dërguan këto të dhëna si pjesë e politikës së vjetër “detyra për të paralajmëruar”, e cila e mundëson ndarjen e të dhënave kur ka rrezik ndaj civilëve të pafajshëm. Sipas ambasadores, ShBA-ja e ndjek këtë praktikë jo vetëm me aleatët, por edhe “me shtete me të cilat ne mund të kemi mosmarrëveshje të thella, përfshirë Rusinë”.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë që të ndajnë të dhëna të tilla dhe gjithashtu do të “vazhdojnë që t’u përgjigjen” kërkesave të qeverisë ruse për asistencë në lidhje me hetimin e sulmit terrorist në sallën “Crocus”, shtoi zonja Tracy.
Departmaenti i Shtetit më vonë të premten theksoi se Uashingtoni kishte “ndarë të dhëna të qarta dhe në kohë me autoritetet ruse për ta ndihmuar parandalimin e sulmit dhe për të shpëtuar jetë të pafajshme”. Zëdhënësi Matthew Miller tha se përpjekjet e Rusisë për t’ua hedhur fajin të tjerëve janë “absurde”
Aleksander Bortnikov, drejtor i Shërbimit Federal të Sigurisë (FSB) të Rusisë të martën e përsëriti pretendimin e presidentit rus, Vladimir Putin, se jo vetëm Ukraina, por edhe Perëndimi kishte rol në sulmin vdekjeprurës afër Moskës.