ShBA-ja i ka çuar selam Iranit përmes shteteve të tjera – çfarë i ka kërkuar? - NACIONALE

ShBA-ja i ka çuar selam Iranit përmes shteteve të tjera – çfarë i ka kërkuar?

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara kanë nxitur vende të tjera përmes kanaleve diplomatike që t’i thonë Iranit se eskalimi në Lindje të Mesme nuk është në interesin e Teheranit, tha të hënën një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, për atë që sekretari Antony Blinken i ShBA-së e quajti “moment kritik” për rajonin.

Blinkeni tha se Uashingtoni ishte “i përfshirë në diplomaci intensive, pothuajse gjatë tërë kohës” për ta ndihmuar uljen e tensioneve në kohën e frikës se Irani është duke përgatitur një sulm hakmarrës kundër Izraelit, raporton agjencia “Reuters”.

“Të gjitha palët duhet të përmbahen nga eskalimi. Të gjitha palët duhet të bëjnë hapa për lehtësimin e tensioneve. Eskalimi nuk është në interesin e askujt. Ai vetëm do të çojë në më shumë konflikt, më shumë dhunë, më shumë pasiguri” – deklaroi kryediplomati amerikan gjatë një ceremonie me homologun e tij australian në Uashington.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se presidenti Joe Biden dhe nënpresidentja Kamala Harris janë njoftuar nga ekipi i tyre i sigurisë kombëtare për situatën në Lindje të Mesme, përfshirë rreziqet që paraqiten nga Irani dhe prokurat e tij ndaj Izraelit dhe ushtarëve amerikanë. Dy krerët e shtetit u njoftuan edhe për një sulm ndaj bazës ajrore “Asad” në Irak të hënën dhe diskutuan për kundërpërgjigjen e ShBA-së.

Gjatë takimit, Bideni dhe Harrisi u njoftuan nga ekipi i sigurisë kombëtare që është ende e paqartë se kur Irani dhe Hezbollahu pritet të nisin një sulm kundër Izraelit “dhe për specifikat e një sulmi të tillë”, sipas një zyrtari amerikan.

Bideni dhe Harrisi gjithashtu u njoftuan për përpjekjet e ShBA-së për ta përkrahur Izraelin ushtarakisht, nëse sulmohet, dhe për përpjekjet diplomatike për “ta de-eskaluar tensionin rajonal” dhe për të arritur një marrëveshje për armëpushim e lirim pengjesh në Gaza.

Blinkeni më herët të hënën bisedoi me kryeministrin e Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, dhe me ministrin e Punëve të Jashtme të Egjiptit, Badr Abdelatty.

“Njëra nga pikat e angazhimeve që ne i kemi pasur është që t’u bëjmë thirrje shteteve që t’i përçojnë porosi Iranit dhe t’i nxisim shtetet që t’i bëjnë të qartë Iranit se nuk është fare në interesin e tij që ta eskalojë këtë konflikt, që nuk është fare në interesin e tij që të nisë një sulm tjetër ndaj Izraelit” – tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller./Nacionale

Lajme të ngjashme