ShBA-ja i dënon sanksionet e Britanisë e vendeve të tjera ndaj dy ministrave izraelitë - NACIONALE

ShBA-ja i dënon sanksionet e Britanisë e vendeve të tjera ndaj dy ministrave izraelitë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, të martën e dënoi vendimin e disa qeverive perëndimore për t’i sanksionuar dy ministrat izraelitë të së djathtës ekstreme, Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich.

Në deklaratën e kryediplomatit amerikan kryesisht u përsëritën gjërat që u thanë më herët nga zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, por në të u përfshi edhe një thirrje nga Rubio që Britania e Madhe, Kanadaja, Norvegjia, Australia dhe Zelanda e Re ta kthejnë prapa vendimin e tyre, raporton gazeta “The Times of Israel”.

“Shtetet e Bashkuara i dënojnë sanksionet e vendosura nga qeveritë e Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Norvegjisë, Zelandës së Re dhe Australisë ndaj dy anëtarëve aktualë të kabinetit izraelit. Këto sanksione nuk i avancojnë përpjekjet e udhëhequra nga ShBA-ja për të arritur një armëpushim, për t’i sjellë të gjitha pengjet në shtëpi dhe për t’i dhënë fund luftës” – thuhet në deklaratën e Rubios, të publikuar në rrjetin X.

“Ne kundërshtojmë çfarëdo nocioni të barasvlerës: Hamasi është një organizatë terroriste që kreu mizori të papërshkrueshme, vazhdon të mbajë peng civilë të pafajshëm dhe ua parandalon njerëzve të Gazës jetesën në paqe. Ne u sjellim ndër mend partnerëve tanë që të mos harrojnë se kush është armiku i vërtetë” – shtoi sekretari amerikan.

“Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për anulimin e sanksioneve dhe qëndrojnë krah për krah me Izraelin” – thuhet në fund të deklaratës së diplomatit të lartë amerikan.

Lajme të ngjashme