ShBA-ja e zbulon bombarduesin e ri bërthamor, B-21 - NACIONALE

ShBA-ja e zbulon bombarduesin e ri bërthamor, B-21

1 vit më parë

nga NACIONALE

Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara e kanë zbuluar bombarduesin e ri bërthamor, B-21, i cili do ta zëvendësojë gradualisht aeroplanin e përdorur për herë të parë në Luftën e Ftohtë.

Bombarduesi i ri i parë në tri dekadat e fundit do të mund të kushtojë gati 700 milionë dollarë dhe mund të bartë armë konvencionale e bërthamore, raporton televizioni BBC.

Siç është pritur, hollësitë specifike të aeroplanit të ri mbeten sekrete. Bombarduesi “B-21 Raider” u zbulua gjatë një ceremonie të premten në objektin e prodhuesit “Northrop Grumman” në Kaliforni.

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Lloyd Austin, tha se ky aeroplan do të ofrojë përparim domethënës në krahasim me bombarduesit ekzistues të flotës amerikane.

“Edhe sistemet më të sofistikuara të mbrojtjes kundërajrore do ta kenë zor që ta vërejnë aeroplanin B-21 në qiell”- tha zyrtari i lartë amerikan.

Ai shtoi se aeroplani është ndërtuar me “arkitekturën e sistemit të hapur”, që e lejon vendosjen e armëve të reja, që nuk janë shpikur ende.

Ky aeroplan do t’i zëvendësojë bombarduesit B-1 dhe B-2 dhe flota pritet të kushtojë rreth 203 miliardë dollarë për t’u zhvilluar, blerë e operuar gjatë tri dekadave të ardhshme.

Tash për tash, duke u prodhuar janë gjashtë aeroplanë, tha prodhuesi, duke shtuar se në ta janë duke u vendosur teknika e materiale të reja prodhimi.

Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara janë duke planifikuar që të sigurojnë të paktën 100 bombardues të llojit të ri.

Lajme të ngjashme