ShBA-ja e urdhëron dislokimin e nëndetëses me energji bërthamore në Lindje të Mesme
Sekretari i Mbrojtjes i ShBA-së, Lloyd Austin, e ka urdhëruar dislokimin e një nëndetëseje me raketa me drejtim në Lindje të Mesme, tha Pentagoni të dielën, përderisa rajoni po përgatitet për sulme të mundshme nga Irani dhe aleatët e tij pas vrasjes së anëtarëve të lartë të Hamasit dhe Hezbollahut.
Përderisa nëndetësja me energji bërthamore, “USS Georgia”, tashmë ndodhej në Detin Mesdhe në korrik, sipas një postimi të ushtrisë amerikane në rrjete sociale, ishte lëvizje e rrallë që publikisht të njoftohej dislokimi i një nëndetëseje, raporton agjencia “Reuters”.
Në një deklaratë pasi Austini bisedoi me homologun e tij izraelit, Pentagoni tha se sekretari i Mbrojtjes e kishte urdhëruar grupin sulmues “Abraham Lincoln” që ta përshpejtonte dislokimin e vet në rajon.
“Sekretari Austin e përsëriti përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të ndërmarrë çdo hap të mundshëm për ta mbrojtur Izraelin dhe e theksoi fuqizimin e qëndrimit dhe kapaciteteve të ushtrisë amerikane në mbarë Lindjen e Mesme pas eskalimit të tensioneve rajonale” – u tha më tej në deklaratë.
Ushtria amerikane tashmë kishte thënë se do të dislokonte aeroplanë luftarakë dhe luftanije shtesë në Lindje të Mesme, përderisa Uashingtoni po synon që ta fuqizojë mbrojtjen e Izraelit.
Irani e ka fajësuar Izraelin për vrasjen e kreut politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, ndërsa Izraeli nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Teheran ku mbeti e vrarë kjo figurë e lartë.
Vrasja e Fuad Shukr-it, komandant i lartë ushtarak i Hezbollahut, grup me bazë në Liban dhe i mbështetur nga Irani, ka shkaktuar shqetësim se konflikti në Gaza mund të shndërrohet në një luftë më të gjerë në Lindje të Mesme.
Irani ka thënë se Shtetet e Bashkuara bartin përgjegjësi në vrasjen e Haniyeh-ut për shkak të mbështetjes që ia ofrojnë Izraelit.
Disa pjesëtarë të personelit amerikan dhe të forcave të koalicionit u plagosën nga një sulm me dron të premten në Siri, pasi më parë disa pjesëtarë të personelit ishin plagosur nga një sulm i ngjashëm në një bazë ushtarake edhe në Irak./Nacionale