ShBA-ja e shqetësuar: Izraeli mund të nisë operacion tokësor në Liban
Zyrtarët e administratës dhe të inteligjencës amerikane janë të shqetësuar se Izraeli është duke planifikuar një hyrje tokësore të trupave në Liban, që mund të nisë në fund të pranverës ose në fillim të verës, nëse dështojnë përpjekjet diplomatike për ta sprapsur Hezbollahun nga kufiri verior i Izraelit, thonë zyrtarë të lartë të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden, dhe zyrtarë të tjerë me qasje në të dhëna të inteligjencës.
Përderisa një vendim përfundimtar nuk është marrë ende nga Izraeli, shqetësimi është mjaftueshëm akut brenda administratës së Bidenit, saqë mundësia e një hyrjeje tokësore në Liban ka arritur në raportet e inteligjencës për zyrtarë të lartë të administratës, sipas një personi që ka pranuar të dhëna dhe i është thënë se një operacion i tillë mund të ndodhë në fillim të verës, raporton televizioni CNN.
“Ne po operojmë me supozimin se një operacion ushtarak izraelit është në muajt e ardhshëm. Jo doemos menjëherë në disa javët e ardhshme, por ndoshta më vonë këtë pranverë. Një operacion ushtarak izraelit është një mundësi e dallueshme” – tha një zyrtar i lartë i administratës së Bidenit.
Për disa muaj, sulme të përditshme vdekjeprurëse janë kryer në brezin kufitar nga Izraeli dhe Hezbollahu. Këto sulme kanë detyruar dhjetëra mijëra banorë libanezë e izraelitë që të largohen nga shtëpitë e tyre. Izraeli ka shkrepur artileri dhe ka nisur aeroplanë e dronë për të sulmuar caqe, ndërsa Hezbollahu ka hedhur raketa.
Përderisa ShBA-ja është ndërmjetëse kyçe në diskutimet e vazhdueshme për një pauzë në luftime në Gaza, administrata e Bidenit ka udhëhequr edhe bisedime paralele me zyrtarë izraelitë e libanezë, të cilat, nëse dalin të suksesshme, do të formonin një zonë neutrale të gjerë disa kilometra brenda jugut të Libanit. Kjo marrëveshje me gjasë do ta shtynte operacionin izraelit, besojnë zyrtarë të ShBA-së.
“Unë mendoj se ajo që po e bën Izraeli është që po e shton këtë rrezik me shpresën që do të ketë një marrëveshje të negociuar” – tha zyrtari i lartë amerikan, i cili ka dëgjuar opinione të ndryshme brenda qeverisë izraelite për nevojën që të futen trupat në Liban.
“Disa zyrtarë izraelitë sugjerojnë se kjo është më shumë si përpjekje për të krijuar një rrezik që ata mund ta shfrytëzojnë. Të tjerë e cilësojnë këtë më shumë si nevojë ushtarake që do të ndodhë” – shtoi zyrtari.
Një zyrtart tjetër i lartë i administratës së Bidenit tha se ka elemente brenda qeverisë dhe ushtrisë izraelite që e përkrahin dërgimin e trupave në Liban. “Është një grup në rritje që thotë: Hej, thjesht të bëjmë një goditje. Vetëm ta bëjmë” – tha zyrtari i lartë, duke shtuar se dërgimi i trupave izraelite në Liban do të mund të çonte te një “eskalim i madh, i madh, të cilit ne nuk ia dimë as përmasat”.
Rreth 80 mijë izraelitë janë zhvendosur nga veriu nga tetori i vitit të kaluar. Në një deklaratë për televizionin CNN, ambasada izraelite në Uashington shkroi: “Shteti i Izraelit nuk do të kthehet te status-kuoja e paraluftës, në të cilën Hezbollahu paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë dhe të menjëhershëm ushtarak ndaj sigurisë së tij [Izraelit] përgjatë kufirit Izrael – Liban.”
Ditëve të fundit, Izraeli e ka shpeshtuar fushatën ajrore, duke bombarduar më thellë në Liban. Sulmet javën e kaluar u kryen vetëm rreth 43 – 44 kilometra larg kryeqytetit libanez, Bejrut.
Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli