ShBA-ja e shkarkon komandantin e luftanijes që e kishte mbrapsht dylbinë në armë
Komandanti i një luftanije të forcave detare amerikane, që po e ndihmon mbrojtjen e aeroplanmbajtëses “USS Theodore Roosevelt” në Lindje të Mesme, është liruar nga detyra rreth katër muaj pasi ishte parë në një fotografi duke shkrepur një armë të gjatë me dylbi të vendosur mbrapsht.
Kjo fotografi kishte shkaktuar tallje të konsiderueshme në rrjete sociale. Gazeta “San Diego Union-Tribute” raportoi se Cameron Yaste, oficer komandues i anijes shkatërruese “USS John McCain”, u lirua nga detyra të premten, raporton agjencia “Associated Press”.
Në prill, në një fotografi të publikuar në llogaritë e forcave detare në rrjete sociale, Yaste shihet në një pozicion qitjeje duke mbajtur një pushkë të gjatë me dylbi të vendosur mbrapsht.
Fotografia përfundimisht ishte fshirë. “Faleminderit që e vutë në dukje gabimin tonë në dylbinë e pushkës në postimin e mëparshëm. Fotografia është hequr derisa të përfundojë EMI-ja (udhëzimi ushtarak shtesë)” – kishin shkruar më vonë forcat detare në rrjete sociale.
Yaste është zëvendësuar përkohësisht me Kapiten Allison Christy, nënkomandant i parë i Skuadronit 21 të Shkatërrueses, që është pjesë e Grupit Sulmues të Aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln”, që gjithashtu ndodhet në Gjirin e Omanit.
Pentagoni i dërgoi këto aeroplanmbajtëse në Lindje të Mesme për të qenë në pozicion, nëse Izraeli do të kishte nevojë për ndihmë për të sprapsur ndonjë sulm nga Irani ose nga shtete të tjera, kanë thënë zyrtarët ushtarakë./Nacionale