ShBA-ja e përfundon ndërtimin e portit të përkohshëm për ndihma në Gaza
Shtetet e Bashkuara e kanë përfunduar ndërtimin e një porti të përkohshëm, i njohur si JLOTS, në det me qëllim të pranimit të ndihmave për Gazën, sipas Departamentit të Mbrojtjes.
“Deri më sot, ndërtimi i dy porcioneve të JLOTS-it, valëpritësit lundrues dhe valëpritësit Trident, janë përfunduar dhe po e presin lëvizjen përfundimtare në det” – njoftoi sekretarja për shtyp e Pentagonit, Sabrina Singh, raporton televizioni CNN.
Megjithatë, për shkak të motit të lig, ushtria amerikane nuk mund ta lëvizë valëpritësin në pozicion për t’u ankoruar në ujë në Gaza, shtoi ajo.
“Sot ende ka erë të fortë të parashikuar dhe fryrje të lartë të detit, që po shkaktojnë kushte të pasigurta për lëvizjen e pjesëve të JLOTS-it, prandaj segmentet e valëpritësit dhe barkat ushtarake të përfshira në ndërtimin e tij ende janë të pozicionuara në Portin e Ashdodit” – tha të martën zëdhënësja e Pentagonit.
Megjithatë, ajo shtoi se ShBA-ja është duke ngarkuar ndihma të caktuara për t’u shkarkuar në portin e përkohshëm në anijen “MV Sagamore”, që tash për tash ndodhet në Qipro.
Televiizoni CNN i pari raportoi javën e kaluar se “MV Sagamore” do të jetë anija e parë që do të përdoret për transportimin e ndihmave nga Qiproja drejt portit të përkohshëm, por zyrtarët amerikanë shpresojnë se grupet e ndihmave do të fillojnë që të kontraktojnë anije të vetat për transportimin e ndihmave.
Zëdhënësja Singh gjithashtu tha se përderisa lëvizja e portit do të varet nga moti dhe kushtet e sigurisë, Departamenti i Mbrojtjes shpreson që ta ketë atë në vendin e duhur “më vonë këtë javë”.