ShBA-ja e paralajmëron Izraelin për ofensivën në Rafah: Pa plan të duhur, do të ishte katastrofë
Shtetet e Bashkuara e kanë paralajmëruar Izraelin se nisja e një ofensive ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah, pa planifikimin e duhur do të ishte “katastrofë”.
Shtëpia e Bardhë tha se nuk do t’i përkrahë planet për ndonjë operacion të madh në Rafah pa shqyrtimin e duhur rreth situatës së refugjatëve atje.
Komentet amerikane vijnë disa ditë pas deklaratës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, se ushtrisë së vendit i është thënë që të përgatitet për të operuar në Rafah, raporton televizioni BBC.
Më shumë se gjysma e popullsisë së Gazës tani jeton në qytetin që shtrihet afër kufirit me Egjiptin. Rreth 1,5 milion palestinezë po mbijetojnë atje në kushte të rënda humanitare.
Izraeli bombardoi nga ajri disa pjesë të qytetit të enjten në mëngjes dhe raportohet se edhe tanket izraelite hapën zjarr.
Emadi, 55 vjeç, baba i gjashtë fëmijëve që po strehohen në Rafah pas largimit nga shtëpia, u citua nga agjencia “Reuters” të ketë thënë se frika e tij më e madhe është një sulm tokësor, sepse nuk ka mbetur asnjë vend tjetër për të shkuar.
“E kemi shpinën për rrethoje [të kufirit] e fytyrat drejt Mesdheut. Ku duhet të shkojmë” – tha ai.
Duke folur të enjten në mbrëmje, pa e përmendur qytetin Rafah, presidenti amerikan, Joe Biden, tha se veprimet e Izraelit në Gaza kanë qenë “mbi kulm”.
Më herët, zëdhënësi amerikan i Këshillit për Siguri Kombëtare, John Kirby, tha se ushtria izraelite kishte “një detyrim special gjatë kryerjes së operacioneve atje ose kudo tjetër për t’u siguruar se janë duke faktorizuar në mbrojtje për jetën civile të pafajshme”.
“Operacionet ushtaraket tash për tash do të ishin katastrofë për ata njerëz dhe nuk është diçka që ne do ta përkrahnim” – tha ai, duke shtuar se ShBA-ja nuk ka parë asgjë për të sugjeruar se Izraeli do të niste një operacion të madh në Rafah menjëherë.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel, u bëri jehonë komenteve të Kirbyt, duke thënë: “Ne nuk do ta përkrahnim ndërmarrjen e diçkaje si kjo pa planifikim serioz e të besueshëm.”
Duke folur në Tel Aviv të Izraelit, sekretari i Shtetit i ShBA-së, Antony Blinken, tha se secili “operacion ushtarak që e ndërmerr Izraeli duhet t’i vendosë në rend të parë civilët... dhe kjo është posaçërisht e vërtetë në rastin e Rafas”.