ShBA-ja e kryen transportin e parë ajror të një mikroreaktori bërthamor - NACIONALE

ShBA-ja e kryen transportin e parë ajror të një mikroreaktori bërthamor

6 muaj më parë

nga NACIONALE

Departamenti i Energjisë dhe Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara të dielën për herë të parë transportuan një reaktori të vogël bërthamor përmes një aeroplani transportues nga Kalifornia në Utah për ta dëshmuar potencialin për të dislokuar shpejt fuqi bërthamore për përdorim ushtarak dhe civilë.

Këto dy departamente bashkëpunuan me kompaninë me seli në Kaliforni, “Valar Atomics” për ta transportuar me aeroplanin e tipit C-17 njërin nga reaktorët e modelit “Ward” – i cili nuk ishte i ngarkuar me karburant bërthamor – deri në Bazën e Forcave Ajrore “Hill” në Utah, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Sekretari i Energjisë, Chris Wright, dhe nënsekretari i Mbrojtjes për Sigurim dhe Qëndrueshmëri, Michael Duffey, ndodheshin në fluturimin e aeroplanit C-17 bashkë me reaktorin e pjesët përbërëse të tij dhe e vlerësuan ngjarjen si hap të madh për logjistikën ushtarake dhe të energjisë bërthamore të ShBA-së.

“Kjo na afron ne më afër dislokimit të energjisë bërthamore kur dhe ku ajo nevojitet për t’ua dhënë luftëtarëve të kombit tonë veglat për të fituar në betejë” – tha Duffey.

Administrata e presidentit Donald Trump i sheh reaktorët e vegjël bërthamorë si njërën nga disa mënyrat për ta rritur prodhimin e energjisë në vend. Trumpi në majin e kaluar lëshoi katër urdhra ekzekutivë me qëllim të fuqizimit të dislokimit të brendshëm bërthamor për t’i përmbushur kërkesat në rritje për energji për sigurinë kombëtare dhe avancimet me konkurrencë në fushën e inteligjencës artificiale.

Departamenti i Energjisë në dhjetor dha dy grante për ta ndihmuar përshpejtimin e zhvillimit të reaktorëve të vegjël modularë.

Mikroreaktori që ishte pjesë e transportit të së dielës, pak më i madh se një minibus, mund të prodhojë deri në 5 megavatë rrymë, të mjaftueshme për të furnizuar 5.000 shtëpi, sipas shefit të kompanisë “Valar Atomics”, Isaiah Taylor. Sipas tij, mikroreaktori do të fillojë që të operojë në korrik me kapacitet prej 100 kilovatësh dhe kulmin do ta arrijë me 250 kilovatë këtë vit para se të ngrihet në kapacitet të plotë./Nacionale

Lajme të ngjashme