ShBA-ja e kryen me sukses testimin e pengimit të raketës balistike me rreze të mesme
Agjencia e Mbrojtjes Raketore e Shteteve të Bashkuara me sukses pengoi një raketë balistike me rreze të mesme, të hedhur nga ajri, gjatë një testimi afër ishullit Guam për herë të parë, arritje domethënëse në kapacitetet mbrojtëse të ishullit, tha Pentagoni.
Guami, territor amerikan në pjesën perëndimore të Oqeanit Paqësor, është pozicion strategjik ushtarak që ndodhet më afër Kinës sesa Hawait. Ishulli luan rol kritik në mbajtjen e pranisë amerikane në rajon dhe frenimin e armiqve të mundshëm, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Testimi i suksesshëm i pengimit të raketës e nënvizon përkushtimin e Pentagonit për fuqizimin e sistemeve mbrojtëse të Guamit kundër rreziqeve raketore që po evoluojnë.
Gjatë testimit të quajtur “Misioni Eksperimentues Fluturues 02, Sistemi i Mbrojtjes së Guamit, i integruar me radarin e ri AN/TPY-6 dhe Sistemin për Hedhje Vertikale, hodhi një Raketë Standarde 3 Block IIA.
Raketa pengoi me sukses një raketë balistike me rreze të mesme të hedhur nga ajri si shënjestër përtej bregdetit të Bazës së Forcës Ajrore “Andersen”.