ShBA-ja e Katari në diskutime për një aeroplan luksoz që do t’i jepej në shfrytëzim Trumpit
Shtëpia e Bardhë është në diskutime me familjen mbretërore të Katarit për të marrë një aeroplan luksoz që do të përdorej si aeroplan presidencial “Air Force One” për presidentin Donald Trump.
Në një deklaratë, Katari mohoi se aeroplani do të jetë dhuratë, por tha se transferimi i një aeroplani për “përdorim të përkohshëm” ishte duke i diskutuar mes dy vendeve, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Sipas televizionit “CBS News”, partner i BBC-së në Amerikë, aeroplani do t’i dhurohej librarisë presidenciale të Trumpit në fundin e mandatit të tij.
Lajmi për aeroplanin luksoz doli në kohën kur Trumpi pritet ta vizitojë Katarin këtë javë si pjesë e udhëtimit të parë të rëndësishëm jashtë vendit në mandatin e dytë si president.
Ali Al-Ansari, atashe medial i Katarit në ShBA, tha se bisedimet ishin duke vazhduar mes Ministrisë së Mbrojtjes të Katarit dhe Departamentit të Mbrojtjes të ShBA-së.
“Çështja mbetet nën shqyrtim nga departamentet ligjore përkatëse dhe asnjë vendim nuk është marrë” – shtoi ai.
Burimet i thanë televizionit “CBS News” se aeroplani nuk do të jetë i gatshëm për përdorim menjëherë,, sepse do të duhet t’i vendosen pajisje shtesë dhe t’i jepet drita e gjelbër nga zyrtarët e sigurisë.
Vlera e mundshme e aeroplanit dhe trajtimi i tij me siguri se do të ngrënin pyetje ligjore e etike në mesin e kritikëve.
Të dielën, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavit, tha se “secila dhuratë e dhënë nga një qeveri e huaj gjithmonë pranohet në përputhje të plotë me të gjitha ligjet e zbatueshme”. “Administrata e presidentit Trump është e përkushtuar për transparencë të plotë” – shtoi ajo./Nacionale