ShBA-ja e cilëson formalisht Maduron si pjesëtar të një organizate të huaj terroriste
Administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, e ka zgjeruar autoritetin për të ndërmarrë veprime kundër Venezuelës duke filluar nga dita e hënë, pasi ShBA-ja i ka cilësuar presidentin venezuelas, Nicolas Maduro, dhe aleatët e tij qeveritarë si pjesëtarë të një organizate të huaj terroriste.
Cilësimi i “Cartel de los Soles”, frazë për të cilën ekspertët thonë se është më shumë përshkrim për zyrtarët qeveritarë që dyshohet të jenë të korruptuar sesa për një grup të organizuar kriminal, si organizatë e huaj terroriste do ta autorizojë presidentin Trump që të vendosë sanksione të reja që në shënjestër mund t’i kenë asetet dhe infrastrukturën e Maduros. Megjithatë, sipas ekspertëve ligjorë, ky cilësim nuk e autorizon në mënyrë të hapur përdorimin e forcës vdekjeprurëse, raporton televizioni CNN.
Prapëseprapë, zyrtarët e administratës amerikane kanë qenë duke e ndërtuar rastin që ky cilësim – njëra nga veglat më serioze të Departamentit të Shtetit kundër terrorizmit – t’i japë ShBA-së opsione të zgjeruara ushtarake për të sulmuar brenda Venezuelës.
Cartel de los Soles përdoret për të përshkruar një rrjet të decentralizuar të grupeve venezuelase brenda forcave të armatosura, të lidhura me trafikimin e drogës, thonë ekspertët. Presidenti venezuelas gjithmonë ka mohuar ndonjë përfshirje personale në trafikimin e drogës dhe qeveria e tij e ka mohuar ekzistencën e kartelit të dyshimtë, për të cilin disa ekspertë thonë se teknikisht nuk ekziston në kuptimin klasik të fjalës.
Trumpi është njoftuar nga zyrtarët për një varg opsionesh për veprime brenda Venezuelës, përfshirë sulmet ndaj objekteve ushtarake ose qeveritare si dhe bastisjet përmes operacioneve speciale. Opsioni për të mos bërë asgjë gjithashtu ekziston akoma, thekson televizioni amerikan.
Ndërkohë, komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së ShBA-së, Gjeneral Dan Caine, dhe këshilltari i tij i lartë, David Isom, të hënën do ta vizitojnë Pyerto Ricon për t’i falënderuar ushtarët që po i mbështesin misionet në Detin e Karaibeve.