ShBA-ja e bllokon për herë të gjashtë rezolutën e OKB-së për armëpushim në Gaza - NACIONALE

ShBA-ja e bllokon për herë të gjashtë rezolutën e OKB-së për armëpushim në Gaza

11 muaj më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara kanë bllokuar për herë të gjashtë një draft-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, me të cilën do të kërkoheshin armëpushim i menjëhershëm dhe i përhershëm në Gaza dhe lirimi i pengjeve izraelite që po mbahen atje.

Zëvendësemisarja amerikane për Lindjen e Mesme, Morgan Ortagus, tha se teksti i draftit të rezolutës së propozuar nuk shkon mjaftueshëm larg në dënimin e Hamasit dhe në njohjen e së drejtës së Izraelit për ta mbrojtur veten, raporton televizioni BBC.

Të gjitha 14 shtetet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit votuan në favor të draft-rezolutës, në të cilën situata në Gaza përshkruhej si “katastrofike” dhe Izraelit i bëhej thirrje për heqjen e të gjitha kufizimeve ndaj ndihmave humanitare.

Duke folur para se të bëhej votimi i draft-rezolutës, përfaqësuesja amerikane tha se kundërshtimi i Uashingtonit ndaj këtij dokumenti “nuk duhet të vijë si befasi”.

“Ajo dështon që ta dënojë Hamasin ose ta njohë të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje dhe në mënyrë të gabuar i legjitimon narracionet e rreme nga të cilat përfiton Hamasi dhe të cilat fatkeqësisht kanë gjetur hapësirë në këtë Këshill” – tha zonja Ortagus.

Pas votimit dhe bllokimit nga ShBA-ja, vendet e tjera anëtare të OKB-së reaguan shpejt për ta shprehur zhgënjimin e tyre. Ambasadori palestinez në OKB, Riyad Mansour, tha se vendimi i ShBA-së për ta bllokuar rezolutën është “thellësisht për keqardhje dhe i dhimbshëm”, duke thënë se një gjë e tillë ia parandalon Këshillit të Sigurimit “luajtjen e rolit të tij të duhur përballë këtyre mizorive”.

Ambasadori i Pakistanit në Kombet e Bashkuara, Asim Ahmad, e përshkroi veton e Uashingtonit si “një moment të errët në këtë sallë”. “Bota po shikon. Bërtitjet e fëmijëve duhet të na i copëtojnë zemrat tona” – shtoi ai.

Amar Bendjama, ambasador i Algjerisë në Kombet e Bashkuara, i kërkoi falje popullit palestinez. “Vëllezër palestinezë, motra palestineze, na falni. Na falni, sepse bota flet për të drejta, por ua mohon ato palestinezëve. Na falni, sepse përpjekjet tona, përpjekjet tona të sinqerta, u shembën në këtë mur refuzimi” – tha ai./Nacionale

Lajme të ngjashme