ShBA-ja e aleatët përplasen në OKB me Rusinë e Kinën për programin bërthamor të Iranit
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë u përplasen me Rusinë e Kinën të enjten në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për synimet bërthamore të Iranit, përderisa Uashingtoni u mundua që ta justifikojë luftën që e nisi kundër Teheranit gati dy javë më parë.
Në një takim të Këshillit të Sigurimit, organ me 15 shtete anëtare dhe që këtë muaj udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina u përpoqën pa sukses që të bllokonin një diskutim rreth një komiteti të themeluar për t’i mbikëqyrur dhe zbatuar sanksionet e OKB-së ndaj Iranit. 11 shtete votuan “për” dhe dy abstenuan, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Duke iu drejtuar Këshillit, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në OKB, Mike Waltz, i akuzoi Moskën dhe Pekinin se po synojnë që ta mbrojnë Teheranin duke e bllokuar punën e atij që njihet si Komiteti 1737.
“Të gjitha vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara duhet të jenë duke zbatuar një embargo armësh ndaj Iranit, duke i ndaluar transferet dhe tregtinë e teknologjisë raketore dhe duke i ngrirë asetet financiare përkatëse” – tha diplomati amerikan.
Ai i akuzoi Kinën dhe Rusinë se nuk po duan një komitet funksional të sanksioneve, “sepse ato duan që ta mbrojnë partnerin e tyre, Iranin, dhe të vazhdojnë që ta mbajnë bashkëpunimin në mbrojtje që tani edhe një herë tjetër është i ndaluar”.
Waltz-i theksoi se javën e kaluar, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore kishte deklaruar përsëri se Irani është shteti i vetëm në botë pa armë bërthamore që ka prodhuar dhe ka grumbulluar uranium të pasuruar në shkallën deri në 60 për qind dhe ka refuzuar që t’i japë kësaj agjencie qasje në rezervat e uraniumit.
Në anën tjetër, ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, i akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre se kanë “nxitur histeri në lidhje me planet e supozuara që Irani i ka për të siguruar një armë bërthamore”, që nuk janë vërtetuar asnjëherë nga raportet e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore.
“Kjo u bë me qëllimin që të ndërmerrej edhe një projekt tjetër ushtarak kundër Teheranit dhe të sigurohej përshkallëzim i madh i situatës në Lindjen e Mesme e përtej saj” – tha ai.
Përfaqësuesi kinez, Fu Cong, e quajti Uashingtonin “shtytës” të krizës bërthamore iraniane dhe tha se ShBA-ja “e zgjodhi përdorimin flagrant të forcës kundër Iranit gjatë procesit të bisedimeve, që i bëri shterpe përpjekjet diplomatike”.
Britania dhe Franca thanë në Këshillin e Sigurimit se rivendosja e sanksioneve ndaj Iranit justifikohet me dështimin e Teheranit për t’i adresuar shqetësimet rreth programit të tij bërthamor./Nacionale