ShBA-ja e akuzon Hamasin se po bëhet pengesë për armëpushim në Gaza - NACIONALE

ShBA-ja e akuzon Hamasin se po bëhet pengesë për armëpushim në Gaza

2 javë më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara e akuzuan Hamasin të hënën se po bëhet pengesë për arritjen e një armëpushimi të përkohshëm në Gaza, duke shtuar se Izraeli ka bërë “rrugë të konsiderueshme” për dorëzimin e një propozimi të arsyeshëm në bisedimet e vazhdueshme për lirimin e pengjeve.

“Është një marrëveshje në tavolinë që do të arrinte shumë prej asaj që Hamasi pretendon se dëshiron ta arrijë dhe ata nuk e kanë marrë atë marrëveshje” – tha në një konferencë për gazetarë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Matthew Miller, raporton gazeta “The Times of Israel”.

Komentet e zyrtarit amerikan erdhën pasi Hamasi i refuzoi kushtet e propozimit të javës së kaluar të Kajros për një marrëveshje për armëpushim e lirim të pengjeve, pastaj ua dorëzoi ndërmjetësuesve nga ShBA-ja, Katari dhe Egjipti kundërpropozimin e vet. As propozimi i Kajros, i hartuar nga Shtetet e Bashkuara, as kundërpërgjigjja e Hamasit nuk janë publikuar dhe ka pasur shumë raportime, nganjëherë kundërthënëse, për përmbajtjen e tyre.

“Gjëja më e rëndësishme është që ata e kanë refuzuar atë dhe nëse do ta pranonin, kjo do të lejonte një armëpushim të menjëhershëm në Gaza për të paktën gjashtë javë, nga i cili do të përfitonte populli palestinez që ata pretendojnë se e përfaqësojnë. Kjo gjithashtu do të na lejonte ne që t’i vazhdojmë përmirësimet në shpërndarjne e asistencës humanitare” – tha më tej Milleri.

Një zyrtar i lartë izraelit i tha gazetës “The Times of Israel” se kundërpërgjigjja e Hamasit për propozimin e fundit refuzon secilën pikë të dokumentit të hartuar në Kajro.

Në kundërpërgjigjen e Hamasit kërkohet që lirimi i pengjeve izraelite në fazën e parë të marrëveshjes të kushtëzohet me ofrimin e garancive nga ndërmjetësit se, në fazën e dytë, Izraeli do të pajtohet për armëpushim të përhershëm, për tërheqje të plotë të ushtarëve izraelitë nga Gaza dhe për kthim të pakufizuar të palestinezëve në pjesën veriore të enklavës, tha zyrtari izraelit. Këto kërkesa janë refuzuar nga Izraeli.

Lajme të ngjashme