ShBA-ja do të kërkojë test të Covid-it për vizitorët nga Kina
Shtetet e Bashkuara janë futur në listën e vendeve që do ta kërkojnë testin e koronavirusit nga personat që vijnë nga Kina, pasi Pekini njoftoi se do t’i rihapë kufijtë javën e ardhshme.
Italia, Japonia, Tajvania dhe India e kanë marrë të njëjtën masë, por Britania e Madhe dhe Australia kanë thënë se nuk ka rregulla të reja për udhëtarët nga Kina, shkruan BBC, përcjell “Nacionale”.
Tre vjet pas qëndrimit e mbyllur ndaj botës, Kina do t’i lejojë njerëzit që të udhëtojnë në mënyrë më të lirshme nga 8 janari. Megjithatë, përhapja e madhe e koronavirusit në këtë shtet ka nxitur kujdes.
Kina është duke raportuar rreth pesë mijë raste të reja në ditë, por analistët thonë se numrat janë të minimizuar dukshëm dhe se numri ditor i rasteve mund të jetë afër një milion. Spitalet janë të stërngarkuara dhe banorët po kanë vështirësi për të gjetur ilaçe elementare, sipas disa raportimeve.
Të mërkurën, Shtetet e Bashkuara thanë se mungesa e të dhënave “adekuate dhe transparente” për Covid në Kinë kanë kontribuuar në vendimin për të kërkuar teste për Covid nga 5 janari për udhëtarët që hyjnë në ShBA nga Kina, Hong-Kongu dhe Makau.
Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në ShBA thanë se kjo nevojitet “për ta ndihmuar ngadalësimin e përhapjes së virusit përderisa po punojmë për të identifikuar... ndonjë variant të ri potencial që mund të shfaqet”.
Sidoqoftë, Ministria e Jashtme e Kinës tha të mërkurën se rregullat për koronavirus duhet të vendosen vetëm mbi bazë shkencore dhe i akuzoi shtetet perëndimore dhe mediet për zmadhimin e situatës.
Para pandemisë, Kina ishte njëra ndër tregjet më të mëdha të turizmit, por është e paqartë se sa kinezë do të udhëtojnë jashtë vendit pas 8 janarit, duke marrë parasysh se numri i fluturimeve është i kufizuar dhe shumë qytetarë duhet të pajisen me pasaporta të reja për shkak të skadimit të afatit.
Në Japoni, udhëtarët nga Kina do të testohen për Covid me të arritur në territorin japonez. Ata që dalin pozitivë, duhet të futen në karantinë deri në shtatë ditë. Edhe numri i fluturimeve nga e për në Kinë do të kufizohet.
Në Indi, njerëzit që udhëtojnë nga Kina dhe nga katër shtete të tjera aziatike, duhet të kenë test me rezultat negativ për Covid para arritjes në këtë shtet. Udhëtarët që dalin me rezultat pozitiv, do të vendosen në karantinë.

