ShBA-ja dhe Rusia do të flasin sot në GjND për pushtimin e territoreve palestineze nga Izraeli - NACIONALE

ShBA-ja dhe Rusia do të flasin sot në GjND për pushtimin e territoreve palestineze nga Izraeli

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara dhe Rusia do t’i paraqesin të mërkurën argumentet e tyre në procedurat gjyqësore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila po e ekzaminon ligjshmërinë e pushtimit të territoreve palestineze nga Izraeli.

GjND-së, e njohur edhe si Gjykata Botërore, i ishte kërkuar në vitin 2022 nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së që të jepte një opinion jo të detyrueshëm për pasojat ligjore të pushtimit, raporton agjencia “Reuters”.

Izraeli, i cili nuk është duke marrë pjesë në këtë rast gjyqësor, ka thënë në komente me shkrim se përfshirja e GjND-së mund të jetë e dëmshme për arritjen e një zgjidhjeje të negociuar. Shtetet e Bashkuara më 2022 e kishin kundërshtuar dhënien e një opinioni nga GjND-ja dhe pritet që të mërkurën të argumentojnë se kjo gjykatë nuk mund të vendosë për ligjshmërinë e pushtimit.

Më shumë se 50 shtete do të paraqesin argumente deri më 26 shkurt. Edhe përfaqësuesit e Francës dhe të Egjiptit pritet të flasin të mërkurën.

Të hënën, përfaqësuesit palestinezë kërkuan nga gjykatësit që ta shpallin të paligjshëm pushtimin izraelit të territorit të tyre dhe thanë se opinioni i gjykatës mund të ndihmojë për arritjen e një zgjidhjeje me dy shtete.

Të martën, dhjetë shtete, përfshirë Afrikën e Jugut, ishin kritike në mënyrë dërrmuese ndaj sjelljeve të Izraelit në territoret e pushtuara dhe shumë prej tyre i bënë thirrje gjykatës që ta shpallë të paligjshëm pushtimin.

Panelit të GjND-së, që përbëhet nga 15 gjykatës, i është kërkuar që t’i shqyrtojë “pushtimin, vendbanimet dhe aneksimin [nga Izraeli]... përfshirë masat që e kanë për qëllim ndërrimin e përbërjes demografike, karakterit dhe statusit të Qytetit të Shenjtë të Jerusalemit, dhe nga zbatimi i legjislacionit dhe masave diskriminuese nga ana e tij”.

Pritet që gjykatësit ta publikojnë opinionin e tyre pas rreth gjashtë muajve për këtë kërkesë, me të cilët gjithashtu u kërkohet që ta shqyrtojnë statusin ligjor të pushtimit dhe pasojat e tij për shtete.

Izraeli kishte shpërfillur një opinion të GjND-së më 2004, kur kjo gjykatë kishte vlerësuar se muri ndarës i Izraelit në Bregun Perëndimor e shkelte të drejtën ndërkombëtare dhe duhej të rrënohej. Në vend të kësaj mase, muri është zgjatur.

Seancat e tanishme gjyqësore mund ta shtojnë presionin politik për luftën e Izraelit në Gaza, nga e cila janë vrarë rreth 29 mijë palestinezë, sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gaza, që nga sulmi i Hamasit në Izrael më 7 tetor, kur u vranë rreth 1.200 njerëz, sipas autoriteteve izraelite.

Përktheu: Nacionale/Nasuf Abdyli

Lajme të ngjashme