ShBA-ja dhe Britania bombardojnë Huthitë, grupi në Jemen që përkrahet nga Irani
Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar kanë bombarduar disa qytete që shrytëzohen nga rebelët Huthi, të cilët mbështeten nga Irani.
Sipas BBC, kjo është një përgjigje e ShBA-së dhe MB-së ndaj një sulmi të Huthive mbi anijet në Detin e Kuq, që kishte ndodhur në nëntor të vitit të kaluar.
Tutje, bombardime janë raportuar të kenë ndodhur në Sanaa, kryeqytetin e Jemenit, në portin e kontrolluar nga Huthitë “Hudaydah”, Dhamar dhe në kryqendrën e Huthive në veri-perëndim të Saadas.
Forcat amerikane dhe aleatët e saj goditën më shumë se 60 objektiva në 16 lokacione të përdorura nga rebelët Houthi në Jemen, raportuan Forcat Ajrore të SHBA, transmeton BBC.
Joe Biden, president i ShBA-së, ka paralajmëruar për masa të mundshme të mëtejshme për të “mbrojtur popullin amerikan dhe rrjedhën e lirë të tregtisë ndërkombëtare”.
Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Rishi Sunak tha se sulmet ishin "të nevojshme dhe proporcionale".
Holanda, Australia, Kanadaja dhe Bahreini dhanë mbështetje si pjesë e misionit, ndërsa Arabia Saudite deklaroi se po monitoron situatën me "shqetësim të madh”.
Rusia ka kërkuar një takim urgjent të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara për të premten në lidhje me sulmet e koordinuara të ShBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar në Jemen, thotë Misioni i Përhershëm Rus në OKB.
Ministria e Jashtme e Iranit ka dënuar sulmet e aleatëve perëndimor në Jemen si një "shkelje të qartë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Jemenit" dhe një shkelje të ligjeve ndërkombëtare.
Huthitë janë një grup i armatosur nga një nën-sekt i pakicës myslimane shiite të Jemenit, Zejditë. Ata deklarojnë se janë pjesë e "boshtit të rezistencës" të udhëhequr nga Irani - së bashku me grupet e Hamasit dhe Hezbollahut - kundër Izraelit, SHBA-së dhe Perëndimit.
Shumica e popullsisë jemenase jeton në zonat nën kontrollin e Huthi dhe rebelët Houthi kontrollojnë vijën bregdetare të Detit të Kuq.
Huthitë filluan të sulmojnë anijet në Detin e Kuq të drejtuara për në Izrael pas luftës ndërmjet Izraelit dhe Hamas që nisi më 7 tetor të vitit 2023. Kërcënimi i Huthive përgjatë kësaj rruge kryesore tregtare është bërë aq i madh saqë kompanitë kryesore të transportit kanë pushuar së lundruari në rajon dhe kostot e sigurimit janë rritur 10-fish që nga fillimi i dhjetorit.