ShBA-ja arrin marrëveshje dëbimi me Hondurasin dhe Ugandën - NACIONALE

ShBA-ja arrin marrëveshje dëbimi me Hondurasin dhe Ugandën

1 vit më parë

nga NACIONALE

Shtetet e Bashkuara kanë arritur marrëveshje dypalëshe për dëbim me Hondurasin dhe Ugandën si pjesë e fushatës kundër imigrimit ilegal, sipas dokumenteve që i ka siguruar televizioni CBS.

Uganda është pajtuar që të pranojë një numër të paqartë të imigrantëve afrikanë dhe aziatikë të cilët kanë aplikuar për azil në kufirin ShBA – Meksikë, ndërsa Hondurasi do të pranojë disa qindra të dëbuar nga shtetet spanjishtfolëse, raporton televizioni CBS, partner i BBC-së.

Kjo lëvizje është pjesë e përpjekjeve të administratës së presidentit Donald Trump që të bindë më shumë shtete për të pranuar imigrantë të dëbuar që nuk janë shtetas amerikanë.

Aktivistët për të drejtat e njeriut e kanë dënuar këtë politikë, duke thënë se imigrantët ballafaqohen me rrezikun e dërgimit në shtete ku mund të lëndohen.

Sipas marrëveshjes, Uganda është pajtuar që të pranojë imigrantë të dëbuar në rast se ata nuk kanë të kaluar kriminale, por nuk është e qartë se çfarë numri do të dërgohet në shtetin afrikan, raportoi televizioni CBS.

Hondurasi është pajtuar që të pranojë imigrantë për dy vjet, përfshirë familje që kanë udhëtuar me fëmijë, por dokumentet lënë të kuptohet se shteti i Amerikës Qendrore mund të pranojë edhe më shumë.

Të dyja marrëveshjet janë pjesë e fushatës më të gjerë të administratës së Trumpit për pakte dëbimi me shtete në disa kontinente – përfshirë ato që kanë të kaluar kundërthënëse rreth të drejtave të njeriut.

Deri më tani, më shumë se dhjetë shtete janë pajtuar që të pranojnë imigrantë të dëbuar nga vendet e tjera.

Javën e kaluar, Departamenti i Shtetit njoftoi se kishte nënshkruar një marrëveshje me një “shtet të tretë të sigurt”, Paraguajin, për ta “ndarë barrën e menaxhimit të imigrimit ilegal”.

Ekspertë të të drejtave të njeriut në Kombet e Bashkuara dhe grupe për të drejtat e njeriut kanë argumentuar se dërgimi i imigrantëve në vende që nuk janë shtet i origjinës së tyre mund të përbëjë shkelje të së drejtës ndërkombëtare./Nacionale

Lajme të ngjashme