Sharif – Khan, “nxehtë” po bëhet në Pakistan: Të dy e shpallin fitoren në zgjedhje - NACIONALE

Sharif – Khan, “nxehtë” po bëhet në Pakistan: Të dy e shpallin fitoren në zgjedhje

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Ish-kryeministrat dhe rivalët e ashpër të njëri-tjetrit, Nawaz Sharif dhe Imran Khan, e shpallën fitoren në zgjedhjet e shoqëruara me vonim të publikimit të rezultateve e sulme të militantëve, duke e futur vendin në trazira më të thella politike.

Partia e Sharifit e fitoi shumicën e ulëseve si parti e vetme në zgjedhjet e së enjtes, por përkrahësit e Khanit të burgosur, të cilët garuan si kandidatë të pavarur në vend të një blloku të vetëm, pasi partisë së tij i ishte ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje, fituan më së shumti ulëse në përgjithësi, raporton agjencia “Reuters”.

Sharifi tha se partia e tij do të bisedojë me grupe të tjera për të formuar një koalicion qeveritar, pasi kishte dështuar që të siguronte shumicë të qartë e vetme.

Njoftimi i Sharifit erdhi pas shpalljes së rezultateve për më shumë se dy të tretat e 265 ulëseve në Kuvend, më shumë se 24 orë pas mbylljes së votimit të enjten, kur 28 persona u vranë nga sulmet e militantëve.

Analistët kishin parashikuar se në këto zgjedhje mund të mos kishte fitues të qartë, duke e përkeqësuar vështirësinë e vendit për t’u rimëkëmbur nga një krizë ekonomike, ndërsa po përballet edhe me shtimin e kryengritjeve të militantëve në një mjedis politik thellësisht të polarizuar.

Sipas rezultateve, kandidatët e pavarur, shumica të përkrahur nga Khani, kanë fituar më së shumti ulëse – 98 nga 245 që ishin numëruar deri në orën 18 e 30 minuta.

Partia e Sharifit, Lidhja Myslimane e Pakistanit – Nawaz, fitoi 69 ulëse, ndërsa Partia Popullore e Pakistanit e Bilawal Bhutto Zardarit, djali i kryeministrit të vrarë, Benazir Bhutto, mori 51 ulëse.

Lajme të ngjashme