ShBA godet Rusinë me sanksione për ‘krimet e luftës’, e ndjek edhe Evropa - dita 42 e pushtimit
Dita e 42-të e pushtimit rus në Ukrainë, është shënuar me sanksione të reja ndaj Rusisë pas raporteve rrënqethëse dhe imazheve të vrasjeve të civilëve në qytetin e Bucha-s. Ndërsa, nuk kanë munguar as raportimet për bombardime të reja, vdekje e evakuime.
Në vazhdim Gazeta Nacionale ju sjell zhvillimet kyçe të ditës nga lufta Rusi-Ukrainë.
ShBA doli me një listë të sanksioneve të reja në synim të bankave dhe elitës ruse. Në sanksione përfshihet edhe ndalimi i amerikanëve për investime në Rusi, si dhe sanksionet ndaj vajzave të Putinit.
Veç ShBA-së, edhe Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar për sanksione të reja, duke përfshirë bashkëpunimin me ShBA-në për ngrirjen e aseteve të bankave ruse dhe ndalimin e të gjitha investimeve të reja të jashtme në Rusi.
Në mëngjes, edhe BE njoftoi një paketë të gjerë sanksionesh, duke përfshirë ndalimin e importit të qymyrit dhe ndalimin e transaksioneve në banka.
Emmanuel Macron tha se vrasjet në qytetin ukrainas të Bucha-s janë "me shumë mundësi një krim lufte" që meriton drejtësi.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orbán dha një konferencë shtypi në të cilën tha se është ofruar të ndërmjetësojë bisedimet me Putinin që synojnë një armëpushim me Ukrainën. Megjithatë ai vazhdon të mos jetë dakord me sanksionet e BE-së kundër Rusisë.
Ushtria ruse tani ka zhvendosur fokusin e saj në lindje të Ukrainës, me autoritetet në Luhansk dhe Donetsk duke paralajmëruar se civilët duhet të largohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Gjatë ditës ka pasur raportime për djegie ndërtesash në Luhansk, si dhe sulme ajrore që kanë lënë viktima të shumta.
Që nga fillimi i konfliktit, nga Kievi janë raportuar 89 vdekje, ndërsa Kryetari i Mariupolit ka thënë se më shumë se 5 mijë civilë janë vrarë në qytetin e rrethuar ukrainas që kur Rusia nisi pushtimin.
Volodymyr Zelenskiy ka mbajtur një fjalim në parlamentin e Irlandës, në të cilin ai i kërkoi vendit të bëjë presione shtesë mbi vendet e BE-së për të vendosur sanksione më të ashpra, duke akuzuar se vendet evropiane shqetësohen tepër për pasojat ekonomike.
Zyrtarët perëndimorë thanë se tërheqja e Rusisë nga rrethi i Kievit dhe verilindja e vendit ka përfunduar.
Një zyrtar i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA-së, ka njoftuar se ShBA-ja ka dërguar 100 “dronë kamikazë”, në Ukrainë .