Seuli e përjeton borën më të madhe në nëntor në 117 vjet
Kryeqyteti i Koresë së Jugut është mbuluar nga ajo që agjencia e motit e cilësoi s bora më e madhe e nëntorit që nga fillimi i regjistrimit të të dhënave në më shumë se një shekull.
Administrata Meteorologjike e Koresë tha se 16,5 centimetra borë ranë deri në orën shtatë të mëgjesit të së mërkurës, në krahasim me rekordin e mëparshëm prej 12,4 centimetrash më 28 nëntor 1972. Sipas këtij institucioni, kjo ishte bora më e madhe në nëntor që nga fillimi i grumbullimit të të dhënave më 1907, raporton gazeta “The Guardian”.
Stuhia e dëborës shkaktoi anulim të të paktën 220 fluturimeve në aeroporte në pjesë të ndryshme të vendit, ndërsa autoritetet urdhëruan rreth 90 tragete të qëndronin në porte.
Rrugët me ngrica shkaktuan ngadalësim të trafikut të mëngjesit në Seul, ndërsa punëtorët e ekipeve emergjente në mbarë vendin reaguan në raste të drurëve të rrëzuar e rreziqeve të tjera të sigurisë.
Presidenti Yoon Suk Yeol i urdhëroi Ministrinë e Sigurisë dhe Ministrinë e Transportit që ta mobilizojnë tërë personelin përkatës në dispozicion për t’i parandaluar aksidentet në trafik dhe incidentet e tjera që lidhen me borën.
Bora mbuloi një pjesë të madhe të vendit. Në rajonet qendrore, lindore dhe jugperëndimore u regjistruan reshje prej 10 deri në 23 centimetra.
Agjencia e motit tha se reshjet e borës do të vazhdojnë në shumicën e pjesëve të vendit deri në mesditën e së enjtes.