Serbia u bashkohet 16 shteteve - thirrje Hamasit që ta pranojë paktin për armëpushim
Shtëpia e Bardhë ka lëshuar një deklaratë në emër të 17 shteteve për t’i bërë thirrje Hamasit që të pajtohet me një propozim për armëpushim dhe lirim të pengjeve në Gaza. Në mesin e këtyre shtetve është edhe Serbia.
“Si udhëheqës të shteteve të shqetësuara thellësisht për pengjet që po mbahen nga Hamasi në Gaza, përfshirë shumë prej qytetarëve tanë, ne e përkrahim plotësisht lëvizjen drejt një marrëveshjeje për armëpushim dhe lirim të pengjeve, që tani është në tavolinë dhe siç është përvijuar nga presidenti Biden më 31 maj 2024” – thuhet në deklaratën e përbashkët, raporton gazeta “The Guardian”.
Në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë thuhet se ajo është lëshuar nga “udhëheqësit e ShBA-së, Argjentinës, Austrisë, Brazilit, Bullgarisë, Kanadasë, Kolumbisë, Danimarkës, Francës, Gjermanisë, Polonisë, Portugalisë, Rumanisë, Serbisë, Spanjës, Tajlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar”.
“Nuk ka kohë për të humbur. Ne i bëjmë thirrje Hamasit që ta mbyllë këtë marrëveshje, me të cilën Izraeli është i gatshëm për të ecur përpara, dhe ta fillojë procesin e lirimit të qytetarëve tanë” – thuhet më tej në deklaratë.
“Ne vërejmë se kjo marrëveshje do të çonte në një armëpushim të menjëhershëm dhe në rehabilitimin e Gazës bashkë me garancitë e sigurisë për izraelitët dhe palestinezët, dhe mundësitë për një paqe më të qëndrueshme dhe afatgjatë dhe një zgjidhje me dy shtete” – shtohet në deklaratën e publikuar nga Shtëpia e Bardhë.
“Në këtë moment vendimtar, ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të Izraelit dhe të Hamasit që të bëjnë çfarëdo kompromisi përfundimtar që është i nevojshëm për ta mbyllur këtë marrëveshje dhe për t’u sjellë lehtësim familjeve të pengjeve tona, si dhe për ata që janë në të dyja anët e këtij konflikti të tmerrshëm, përfshirë popullsitë civile. Është koha që lufta të përfundojë dhe kjo marrëveshje është pika fillestare e nevojshme” – thuhet në fund të deklaratës.