Sëmundje e panjohur në Kongo, vdesin 143 njerëz - NACIONALE

Sëmundje e panjohur në Kongo, vdesin 143 njerëz

1 vit më parë

nga NACIONALE

Një sëmundje e panjohur ka lënë të vdekur 143 njerëz në një provincë jugperëndimore të Republikës Demokratike të Kongos gjatë muajit nëntor, i kanë thënë agjencisë “Reuters” autoritetet lokale.

Personat e prekur kishin simptoma të ngjashme me ato të gripit, përfshirë ethet dhe dhimbjen e fortë të kokës, thanë Remy Saki, zëvendësguvernator i provincës Kwango, dhe Apollinaire Yumba, ministër provincial i Shëndetësisë, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Një ekip mjekësor është dërguar në zonën shëndetësore Panzi për të mbledhur mostra dhe për të kryer një analizë me qëllim të identifikimit të sëmundjes.

Situata është tepër shqetësuese, pasi numri i njerëzve të infektuar po vazhdon të rritet, i tha agjencisë “Reuters” udhëheqësi i shoqërisë civile, Cephorien Manzanza.

“Panzi është zonë shëndetësore rurale, prandaj është problemi me furnizimin me ilaçe” – tha Manzanza.

Saki dhe Yumba tha se njerëzit e sëmurë vdesin në shtëpitë e tyre për shkak të mungesës së trajtimit.

Një epidemiolog lokal tha se gratë dhe fëmijët ishin më seriozisht të prekur nga sëmundja.

Një zëdhënës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha të martën se kjo agjenci ishte njoftuar për praninë e sëmundjes javën e kaluar dhe se ishte duke punuar bashkë me Ministrinë e Shëndetit Publik të Kongos për të bërë hulumtime të mëtejme./Nacionale

Lajme të ngjashme